Musliu: Fshisa e madhe e Qeverisë Kurti është pak e frikshme

Prishtinë | 20 Shk 2020 | 20:36 | Nga Ekonomia Online

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka komentuar vendimet e Qeverisë Kurti për shkarkimin e bordeve të ndryshme të institucioneve publike.

Musliu, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se edhe nga shoqëria civile është kërkuar që procesi i rekrutimit të noterëve të rishikohet por sipas tij ende nuk dihet nëse vendimet e marra nga ministrja Albulena Haxhiu janë në rregull.

“Mos të harrojmë një fakt. Nuk është se të gjithë kandidatët që kanë hyrë në proces kanë arritur përmes lidhjeve. Ka kandidatë që me meritë i kanë kaluar të gjitha fazat e rekrutimit”.

Drejtori ekzekutiv i IKD ka thënë se nëse vendimet e Ministrisë së Drejtësisë janë të ligjshme mund të rifillohet nga e para.

Musliu thotë se “fshisa e madhe” që ka marrë Qeveria Kurti është pak e frikshme.

“Ne kemi kërkuar dhe mbështetur vendime të tilla por të mos merren vendime që mund të jenë arbitrare dhe jo të bazuara mirë në ligjshmëri”.

Ai thotë se shkarkimi i Bordit të Telekomit duhej të merrej pas një vlerësimi që një Këshill Ministror do ta bënte paraprakisht.

“Nuk duhet të merren vendime të gabuara…Qeveria Kurti duhet të respektojë rregullat e procedurës dhe pa asnjë nguti t’u jap përgjigje kërkesave të popullatës”, tha ndër të tjera Betim Musliu.

Të ngjashme