Musliu: Selmanaj në depresion, Kuvendi s’është studio televizive

Prishtinë | 29 Mar 2019 | 22:15 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu në një deklaratë dhënë Periskopit ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanajt, se ajo si anëtare ka penguar punën e Komisionit Parlamentar për hetimin e rastit të deportimit të gjashtë gylenistëve në Turqi para një viti.

Musliu ka thënë për Periskopin se Komisioni Parlamentar për hetimin e këtij rasti ka dështuar për shkak të papërvojës së kryetarit të Komisionit, Xhelal Sveçla, për të cilin thotë se ka rënë pre e paditurisë së Selmanajt, i cili ka qenë nënkryetar i këtij Komisioni.

Sipas saj, Selmanaj ka rënë në depresion kur është përballur me punën në Kuvend, e cila është krejt ndryshe se si shihet nga lozha e Kuvendit.

“Komisioni ka dështuar nga papërvoja e kryetarit të Komisionit që fatkeqësisht ka ra në ndikim të paditurisë së nënkryetarit Selmanaj, i cili edhe sot mundohet ta luaj rolin e Kryetarit. Driton Selmanaj ka menduar që puna në Kuvend është njësoj sikur kur e ka shiku nga lozha e Kuvendit por tani kur është përballë direkt me punën në Kuvend ka ra në depresion dhe vështirë që do të del nga kjo gjendje”, ka thënë Musliu për Periskopin.

Në fund të deklaratës së saj, ajo thotë se Selmanaj duhet ta kuptojë se Kuvendi nuk është studio ‘Clicku’.

“Ai duhet ta kuptoi qe puna ne Kuvend e Komisione parlamentare nuk është studio e “clikut”, ka thënë Musliu tutje.

Në anën tjetër, deputeti Selmanaj në Debat plus në Tv Dukagjini ka thënë se Ganimete Musliu që nga fillimi ka penguar punën e këtij Komisioni.

“Ganimete Musliu që nga fillimi ka qenë destruktive me punën e saj në këtë Komision”, ka thënë Selmanaj.

Të ngjashme