Musliu-Shoshi ka dhënë sqarim lidhur me lëshimin e mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë

Prishtinë | 03 Sht 2021 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi ka dhënë sqarim lidhur me lëshimin e mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, duke shtuar se Haki Abazi po mashtron dhe dështimin katastrofal të qeverisë populiste që e ka suspenduar politikën e jashtme të Kosovës po përpiqet ta justifikoj me mbledhje të Komisionit Parlamentar, pa siguruar prezencën e deputetëve të mazhorancës.

Madje, ajo tha se që nga marrja e mandatit të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Znj. Gërvalla-Schwarz ka qenë jo-serioze në bashkëpunimin e saj me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Njoftimi i plotë:

Haki Abazi po mashtron dhe dështimin katastrofal të qeverisë populiste që e ka suspenduar politikën e jashtme të Kosovës po përpiqet ta justifikoj me mbledhje të Komisionit Parlamentar, pa siguruar prezencën e deputetëve të mazhorancës. Që nga marrja e mandatit të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Znj. Gërvalla-Schwarz ka qenë jo-serioze në bashkëpunimin e saj me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Komunikimi mes nesh dhe MPJD-së ka qenë thuajse inekzistent, ndërsa transparencë nuk ka pasur fare. Në këtë mbledhje të thirrur për të intervistuar kandidatët për Ambasadorë të Republikës së Kosovës, neve na është lënë shumë kohë e shkurtër në dispozicion për të analizuar profilet e tyre. Prandaj edhe me kohën e shkurtër të lënë në dispozicion, është tentuar që procedura në Komision të shkojë sa për sy e faqe, në pamundësi për t’u njoftuar në thellësi me profilet e kandidatëve. Komisioni ka pranuar vetëm pesë kandidatë. Marrë parasysh se Kosova ka gjithsej 32 misione diplomatike, e ligji parasheh që 50% e shefave të jenë me çelës politik, ne nuk kemi një qartësi se ku janë edhe 11 kandidatë të tjerë, të cilët MPJD ka pasur mjaftueshëm kohë për t’i identifikuar, mirëpo nuk kemi një transparencë sa i përket këtij procesi. Ne duhet të kemi parasysh se MPJD i raporton Kuvendit, e jo anasjelltas. Deri më tani, kemi pasur një qasje neglizhuese ndaj Kuvendit në Përgjithësi, e ndaj Komisionit për Punë të Jashtme e Diasporë në veçanti. Duhet qartësuar fakti se deputetët nuk janë instrumentë të cilët Ministritë i përdorin për të arritur qëllimet e tyre! Ju duhet të jepni përgjegjësi si mazhorancë para qytetarëve dhe Kuvendit – se pse e keni suspenduar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës duke humbur 5 muaj kohë të vlefshme, nga padituria elementare për proceset e rregullta diplomatike dhe nga neglizhenca flagrante e papresedan e Ministres ndaj një shteti që e ka gjetë të etabluar në skenën ndërkombërare.Tani kur Serbia po përgatitë agresivitet diplomatik për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ju i keni pasivizuar misionet diplomatike të Kosovës në vendet aleate.Kosova asnjëherë në historinë e paspavarësisë nuk ka qenë më e rrezikuar sesa sot nga zhbërja e të arriturave në politikën e jashtme!

Të ngjashme