Mustafa: Më 1 shtator demarkacioni do të jetë i përfunduar

Prishtinë | 11 Gus 2016 | 17:44 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se me rëndësi është që qytetarët ta dinë të vërtetën se Komisioni Shtetëror ka ofruar të gjitha dëshmitë lidhur me të vërtetën për Demarkacionin me Malin e Zi.

Ai ka përsëritur se Kosova nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë në demarkacion. Këto komente ai i ka bërë gjatë një vizite në Ferizaj pas inaugurimit të Qendrës së Përpunuesve të Drurit në Greme.

“Është po ashtu e pamohueshme se Komuna e Pejës nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë dhe meqenëse problemi ndërlidhet me regjionin ku është Komuna e Pejës, atëherë vetëm të dëshmojë dikush se kjo komunë është më e vogël se 603 kilometra katrorë me këtë demarkacion dhe ne marrim përgjegjësinë. Por, këto janë të qarta, për mua janë të pakuptimta insistimet e mëtutjeshme të njerëzve në këtë temë”.

Kryeministri Mustafa pret që deputetët ta votojnë demarkacionin, sepse siç tha ai nuk sheh asnjë arsye “që deputetët e Kuvendit mos të votojnë që Kosova të ketë kufij ndërkombëtarë”.

“Ne jemi bërë shtet dhe ne dëshirojmë që ky shtet të ketë kufij ndërkombëtarë me Malin e Zi, kufij ndërkombëtarë me Maqedoninë, do të kemi kufij ndërkombëtarë me Shqipërinë, sepse ata kufij edhe më parë kanë qenë ndërkombëtarë, sepse kanë qenë kufij mes dy shteteve dhe do të kemi kufij ndërkombëtar në të ardhmen me Serbinë dhe, këta kufij ne do t’i depozitojmë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që edhe atyre t’iu themi se ne e kemi përfunduar çështjen e kufijve dhe ne jemi në gjendje dhe e meritojmë të pranohemi edhe nga Kombet e Bashkuara si shtet”.

“Po ashtu, kemi arsyen tonë që të luftojmë që qytetarët tanë, ju të gjithë këtu, edhe këta biznesmenë që janë këtu afër nesh, të qarkullojnë pa viza në vendet e BE-së. Kush mund të marr nesër përgjegjësi që t’i mbajë të ngujuar qytetarët tanë për teke dhe për kërkesa që janë irracionale dhe i përkasin një kauze e cila është e paqëndrueshme. Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë, në mënyrë që të komunikojmë me opinionin, në mënyrë që opinioni të ketë sa më shumë informata dhe besoj se më 1 shtator kjo punë të jetë e përfunduar”.

“Besoj se me këtë datë, qytetarët e Republikës së Kosovës do të fillojnë t’i gëzohen të ardhmes së tyre, sepse pas datës 5 shtator mund të jepet propozimi nga Komisioni Evropian për Siguri, i cili është komision kompetent për migracion, që t’i propozojë Parlamentit Evropian për heqjen e vizave. Ne nuk guxojmë të rrezikojmë këto procese shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe nuk guxojmë të hyjmë në një dialog të brendshëm, i cili nuk na nxjerrë askund”, tha kryeministri Mustafa.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme