Mustafa: Askush nuk ka arsye të frikësohet nga e vërteta për demarkacionin

Prishtinë | 30 Nën 2016 | 16:41 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një deklaratë për RTK-në, ka folur për idenë e tij për krijimin e një komisioni i cili do të bënte matjen e territorit të Kosovës, duke thënë ndër të tjera se askush nuk ka arsye të frikësohet nga e vërteta para qytetarëve për demarkacionin.

Duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për një komision të ri qeveritar ose për rishqyrtim të procesit të shënjimit të vijës kufitare, por vetëm për të bërë matjen e territorit, duke përfshirë vijën kufitare me Malin e Zi, kryeministri Mustafa, ka ftuar opozitën që të bëhet pjesë e këtij procesi në mënyrë që t’i hapet rruga kalimit të demarkacionit dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Sot në Qeveri e kam hapur idenë që të themelohet një Komision Qeveritar, i cili do të kishte për detyrë matjen e territorit të Republikës së Kosovës, ndërlidhur edhe me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në këtë rast, nuk është fjala për një komision të ri qeveritar ose për rishqyrtim të procesit të shënjimit të vijës kufitare, por objektivi themelor është që ne të matim territorin e Republikës së Kosovës, t’i njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se sa është territori i Republikës së Kosovës, dhe se a ka humbë Kosova territor me rastin e shënjimit të vijës kufitare, në krahasim me territorin të cilin ne e kemi trashëguar nga vitet e ’80-ta, ose me territoret që e kemi pasur ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë dhe duke respektuar kriteret territoriale të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se konsideron se ky është një proces i dobishëm për Kosovën, është i dobishëm për qytetarët e Kosovës, sepse ata do ta marrin qartë informatën nga ekspertët e vendit lidhur me sipërfaqen e territorit të Republikës së Kosovës, dhe se a korrespondon kjo sipërfaqe me atë që Kosova ka trashëguar si shtet.

Tutje Mustafa ka shtuar se po ashtu, është një mesazh i qartë për të gjithë ata që deri më sot e kanë kontestuar shënjimin e vijës kufitare si kriter për përmbushjen e liberalizimit të vizave, që të heqin dorë nga kjo në qoftë se konsiderojmë se nuk kemi humbur territor.

“Ne qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet t’ju japim të vërtetën dhe askush nuk ka arsye të frikësohet nga e vërteta para qytetarëve të Republikës së Kosovës, as Qeveria, as opozita.

Unë do të dëshiroja që në këtë Komision për matje të jenë edhe përfaqësuesit e opozitës, të kemi ekspertë edhe të Aleancës, edhe të NISMA-s, edhe të Vetëvendosjes, edhe ekspertë tjerë të institucioneve qeveritare në mënyrë që bashkërisht të punojmë, sepse ekspertët janë ekspertë dhe ata do të punojnë mbi bazën e ekspertizës dhe rezultatet e kësaj ekspertize do t’i publikonim para qytetarëve të Republikës së Kosovës, përmes Qeverisë ose përmes formave që ata do të pajtoheshin”, ka thënë kryeministri Mustafa për RTK.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme