Mustafa bëri bujë me kërkesën për president, VV-LDK ende po flasin për arsim e shëndetësi

Prishtinë | 04 Nën 2019 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa kishte bërë bujë me dëshirën e tij për tu bërë president i vendit, por për momentit kjo kërkesë e Mustafës as nuk është në rend dite në bisedimet LDK-VV.

Ish-kryeministri, Mustafa i cili në një intervistë në një prej televizioneve kosovare kishte thënë se do të ishte një nder i veçantë që dikush ta mbyll karrierën e vet politike me postin e presidentit.

“Është një nder i veçantë që dikush me mbyll karrierën e vet politike me një përgjegjësi ndaj qytetarëve të republikës së Kosovës, mirëpo nuk jam unë ai që mund ta bëjë veten president, e as që do ta imponoj veten si president të vendit”, kishte thënë Mustafa.

Por partia e tij momentalisht është e preokupuar me postin e kryeministrit dhe ndarjen e posteve të ministrave me Lëvizjen Vetëvendosje, parti kjo, e cila ka dal e para në zgjedhjet e gjashtë tetorit dhe është mandatarja për formimin e qeverisë së re, raporton Gazeta Insajderi.

Në takimin e fundit që ka pas VV-ja dhe LDK-ja, është biseduar për çështjen e arsimit dhe shëndetësisë.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje pas përfundimit të këtij takimi ka thënë se lidhur me këto dy tema kanë rënë dakord me LDK-në 100 përqind.

“Grupet tona i shpalosën qëndrimet e secilit subjekt përkatës politik. Ka qenë një takim që është zhvilluar në pajtueshmëri dhe atmosferë të bashkëpunimit. Jemi pajtuar 100% për temat që i kemi ngritur për këto fusha të rëndësishme të jetës sonë”, është shprehur ai.

Konjufca po ashtu ka folur edhe për të sapo emëruarin e LDK-së, Lutfi Hazirin si shef i Ekipit Negociator të LDK-së për bisedimet me VV-në. Ai ka thënë se Haziri i ka kontribuar në të mirë atmosferës së këtij takimi.

“Isha pjesë e takimit dhe e tëra që mund të them është që ai i ka kontribuar kësaj atmosfere të mirë të pajtueshmërisë. Ne folëm për arsimin dhe shëndetësinë dhe ende nuk e kemi caktuar një takim në të cilin do të flitet ndarja e dikastereve. Ne e kemi zgjedhur një strategji të caktuar negociatore që ka qenë pajtushmëria sa më e madhe”, ka thënë Konjufca.

Së fundi, Haziri përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, kishte thënë se posti i kryeministrit të Kosovës është duke u sjell nëpër zyre të LDK-së, deklaratë kjo që kishte pas shumë reagime nga zyrtarë të VV-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme