Mustafa: Deçani e meriton qeverisjen e LDK-së dhe Mal Lokajt

Deçan | 01 Tet 2017 | 20:22 | Nga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se ka ardhur koha që Deçanin ta drejtojë LDK-ja, sepse Deçani e meriton një qeverisje më të mirë, ndërsa besoj se Mal Lokaj do të jetë kryetar i mirë, ashtu sikur edhe kandidatët tuaj për asamble.

“Ne nuk premtojmë zgjidhjen e të gjitha problemeve për katër vjet, sepse është e pamundur, por do të angazhohemi maksimalisht t’i zgjidhim ato. Ne do të japim maksimumin për të krijuar kushte për fëmijët tanë, në mënyrë që ata mos të shkojnë jashtë vendit”, ka thënë Mustafa, i cili ka shtuar se projekti i LDK-së është që përmes pushtetit lokal, e më pas edhe atij qendror, Kosova të integrohet në Evropë, NATO dhe të gjithë organizmat ndërkombëtarë, pasi ky është edhe amaneti i presidentit Rugova.

“LDK e ka programin më të mirë të zhvillimit ekonomik lokal dhe jam i bindur se do të zbatohet nga kryetari i juaj Mal Lokaj. Ai sot të prezantojë orientimet e tij themelore. Nëse dikush po e orienton Kosovën kah zhvillimi dhe civilizimi, ju garantoj se ajo është LDK-ja”, ka theksuar Mustafa.

Jeton Mushkolaj, kryetar i Degës së LDK-së në Deçan ka thënë se një pushtet që i duhen më tepër se 15 vjet për t’i realizuar projektet elementare dhe nuk e bën një gjë të tillë, pa fije turpi e kërkon përsëri votën.

“Këtij pushteti, buxheti i komunës i është shndërruar në një kuletë të shqyer partiake dhe militante, ndërsa hallet dhe problemet tuaja janë rritur në vazhdimësi. Andaj, ju ftoj që më 22 tetor të votojmë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe t’u japim fund këtyre problemeve”, ju ka thënë Mushkolaj, banorëve të Deçanit.

Mushkolaj ka shtuar se qeverisja aktuale e Deçanit po tregon hipokrizi, duke thënë se qeveria e kaluar qendrore e kishte anashkaluar Deçanin, ndërsa qeveria e tashme do ta ndihmojë më tepër.

Ai ka ofruar një sërë faktesh se qeverisja nën drejtimin e Isa Mustafës kishte ofruar ndihmë në shumë projekte për këtë komunë, duke filluar nga asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i Palestrës së Sportit dhe stadiumit të qytetit dhe ndërtimi i rrugës nacionale Deçan – Plavë, projekt i filluar nga presidenti historik Ibrahim Rugova.

Ai ka shtuar se këto të mira nuk shihen nga pushtetarët e Deçanit, pasi kanë mbetur në të mirë të komunës e nuk kanë përfunduar në xhepat e tyre, ashtu siç janë mësuar për 15 vjet me radhë.

Mal Lokaj, kandidat i LDK-së për kryetar të Deçanit, ka thënë se programin tonë zhvillimor katër-vjeçar do ta zbatojmë në bashkëpunim me grupet e ekspertëve të të gjitha fushave.

“Do të punojmë fuqishëm në përkrahjen e bujqësisë”, ka thënë Lokaj, duke shtuar se do të punohet shumë edhe në pemëtari, bletari e blegtori.

Turizmi po ashtu do të jetë ndër prioritetet e tij, duke premtuar ndërtimin e një qendre skijimi. Vendosja e shenjave informuese në bjeshkë, hapja e qendrës informuese në Deçan po ashtu zënë vend në programin qeverisës të Lokajt.

“Me LDK në pushtet do të përkrahen shumë më tepër bizneset e vogla, derisa kujdes i veçantë do t’u kushtohet femrave. Do të punojmë shumë në ngritjen e cilësisë në arsim dhe depolitizimin e shkollave tona, do të sigurojmë transport falas për nxënësit e shkollave të mesme. Do të funksionalizohet si duhet Pallati i Kulturës, do të mirëmbahen kullat muze, do të integrojmë në masë të madhe rininë tonë, do t’i kushtojmë rëndësi të madhe edhe sportit, si në infrastrukturë, ashtu edhe për klubet dhe sportistët reprezentativë“, ka theksuar Lokaj.

Ai ka premtuar edhe qasje shumë më serioze në mjekësi, infrastrukturë dhe urbanizëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme