Mustafa: Dialogu në qorrsokak, s’kemi numra për rrëzimin e Qeverisë

Prishtinë | 20 Mar 2019 | 16:26 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk pret që procesi i dialogut të shkojë ashtu siç është deklaruar, raporton Ekonomia Online.

Mustafa ka shtuar se dialogu është në një qorrsokak, pasi vazhdimi i tij, po kushtëzohet me taksën.

“Unë nuk po shoh ndonjë mundësi që procesi dialogut të shkojë si po deklarohet. Zgjedhjet në parlamentin evropian janë shumë afër. Kushtëzimi dialogut me tarifën ka mbet edhe më tutje dhe dialogu ka mbet në një qorrsokak. Ne e kemi dhënë zgjedhjen për dialogun, kemi thënë që më së miri është të shkohet në zgjedhje”, tha Mustafa.

Këto komente, Mustafa i bëri në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë me kryetarët e degëve.

Kreu i LDK-së, tha se partia që ai drejton nuk pajtohet me korrigjimin e kufijve.

“Ajo që nuk do lëshojmë pe është se nuk do pajtohemi me korrigjim të territoreve, me ndryshim të kufijve, nuk do pajtohemi që në tavolinë të hapet çështja e deklaratës së pavarësisë dhe të kemi ndonjë asociacion e cila do ketë kompetenca të pushtetit lokal apo pushtetit të tretë”, shtoi Mustafa.

Mustafa tha se megjithëse duan rrëzimin e Qeverisë, nuk po mund t’i bëjnë numrat e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Sipas tij, PSD-ja objektivisht është në pozitë.

“Nuk i kemi numrat për zgjedhje. Kështu si jemi, i kemi krejt nunrat e LDK edhe VV është deklaruar që i ka numrat. PSD objektivisht është në pozitë sepse po i voton të gjitha aktet dhe ka propozuar një ligj për dialog skandaloze që ne e kemi çu në Kushtetuese. Ne do vazhdojmë të përpiqemi me i siguruar votat. Pas po bëjnë propagandë të ulët sepse nuk mund të bashkëpunosh përditë me kryetarin e Kuvendit, kryeministrin dhe në fund të thuash po dua me rrëzuar Qeverinë. Kemi një koalicion qeveritar shumë të rrezikshëm për vendin”, tha Mustafa.

Mustafa tregoi për diskutimet që janë bërë në mbledhjen e së mërkurës me Kryesinë e partisë. Ai tha se LDK-ja po merret me zgjedhjet e brendshme.

“Në kryesinë e LDK kemi aprovuar agjendën e zgjedhjeve. Jemi marrë vesh ne fazën e parë të zgjedhjeve të fillojmë me 22 degë nga 38 degë sa i kemi në LDK. Ndërsa në fazën e dytë të vazhdojmë edhe me 16 degë të tjera dhe të vazhdojmë me degët të cilat i kemi në diasporë”, tha Mustafa.

Ish-kryeministri Mustafa, tha se objektivë është forcimi i LDK-së. Ai pohoi se ka unitet të brendshëm partiak.

“Objektiva jonë e zgjedhjeve është që të forcohet LDK. Të japim mundësi për pjesëmarrje të gjithë atyre që e vlerësojnë LDK të jenë anëtarë të LDK. Zgjedhjet do fillojnë në nëndegë. Kemi solidaritet të brendshëm, unitet i cili është i qëndrueshëm brenda LDK. Jemi parti e cila kemi besimin më të madh qytetar sipas të gjitha matjeve”, shtoi Mustafa.

Sipas tij, ani pse LDK-ja është në proces të zgjedhjeve, do të përqendrohen në çështjet që e prekin çdo qytetar të Kosovës.

EkonomiaOnline

?DREJTPËRDREJT – Kryetari i LDK-së mban konferencë për medie, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë me kryetarët e degëve

Posted by EkonomiaOnline on Wednesday, March 20, 2019

Të ngjashme