Mustafa e Hoxhaj në New York lobojnë për njohje të reja

Prishtinë | 18 Sht 2016 | 20:04 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në New York, ku do të zhvillojë takime me liderë të shteteve, të cilët janë pjesë e aktiviteteve në kuadër të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Mustafa, gjatë vizitës do të marrë pjesë edhe në disa ngjarje të organizuara nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, nga Fondacioni Clinton si dhe do të takojë shumë presidentë, kryeministra dhe udhëheqës të delegacioneve shtetërore e drejtues të organizatave ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në New York, Mustafa shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Ata do të zhvillojnë takime me përfaqësues të administratës amerikane, me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të saj, drejtuesit më të lartë të Kombeve të Bashkuara si dhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Sikur njofton Zyra e Kryeministrit, në këto takime do të kërkohet mbështetja e vendeve partnere për fuqizimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Mustafa e Hoxhaj paralajmërojnë se do të lobojnë për njohjen e Kosovës nga shtete që ende nuk e kanë marrë këtë vendim.

Të ngjashme