Mustafa fton të bashkohen “të rinjtë dhe themeluesit” e LDK-së

Vushtrri | 27 Sht 2017 | 22:47 | Nga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e Vushtrrisë, ka thënë të mërkurën në mbrëmje se sa herë bashkon të rinjtë, veprimtarët dhe themeluesit e LDK-së, fitorja në zgjedhje është e pashmangshme.

“Nga përvoja kemi mësuar se sa herë jemi bashkuar, sikur ju në Vushtrri ne i kemi fituar zgjedhjet. Sa herë që LDK mobilizohet ajo fiton. Këtë entuziazëm të fitores po e shoh te LDK-ja e Vushtrrisë, e cila e meriton fitoren”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Ai ka shtuar se kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është një kandidat i përgatitur me të gjitha cilësitë e një kryetari të Komunës dhe është nderë për çdo qytet të Kosovës ta ketë një kandidat të profilit të Xhaferit.

Mustafa ju ka bërë thirrje të rinjve të Vushtrrisë të qëndrojnë të bashkuar, sepse kështu fitorja në Vushtrri as që vihet në diskutim.

“Ne duhet ta prezantojmë punën tonë para qytetarëve. Ne kemi punuar shumë dhe nuk kemi treguar se çka po punojmë. Ne duhet ta shpërfaqim punën tonë dhe vlerat tona para qytetarëve”, ka përfunduar Mustafa.

Së bashku me Tahirin, Mustafa ka shëtitur qendrës së Vushtrrisë, ku ka biseduar me qytetarë për programin e LDK-së për zhvillimin e komunës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme