Mustafa: Hoti është burrë i fortë që u bën ballë sfidave shtetërore

Rahovec | 05 Qer 2017 | 16:56 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë të hënën në Rahovec se Avdullah Hoti është një burrë i fortë që u bën ballë të gjitha sfidave me të cilat përballet shteti i Kosovës.

“LDK, së bashku me AKR-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi do ta bëjnë Qeverinë e Kosovës, me kryeministër Avdullah Hotin. Z. Hoti është njeri i duhur për këtë post. Ai nuk dëshiron të lavdërohet, nuk dua ta lavdërojë as unë, por po e them të vërtetën. Jemi të kënaqur që e kemi një djalë të tillë të mrekullueshëm të kësaj ane, një burrë i fortë, i cili do t’i qëndrojë përballë përgjegjësisë që do ta ketë para jush dhe para Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se Kosova duhet ta bëjë qeverinë dhe t’ia japë të mbarën këtij vendi. “Këtë program të zhvillimit ekonomik, të integrimeve, kryeministri ynë i ardhshëm do ta zbatojë me sukses, duke gjetur bashkëpunim edhe me partitë tjera. Po ashtu, nën udhëheqjen e tij do të anëtarësohemi në organizatat më të rëndësishme botërore”, ka thënë ai.

“Do të punojmë edhe për rritjen e pagave, por jo vetëm në sektorin publik. Jemi përgatitur për këtë hap dhe kjo do të ndodhë sapo kryeministri i ri do të marrë detyrën e re. Po ashtu e kemi gati edhe pakon e dytë fiskale. Ju ftoj ta përkrahni këtë listë, këta njerëz dhe njeriun tuaj dhe tërë Kosovës, Avdullah Hotin”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka deklaruar se ne kemi një program shumë të mirë dhe shtylla kryesore e tij është zhvillimi ekonomik.

“Ky zhvillim lidhet me hapjen e fabrikave të reja dhe këtu e kemi z. Pacolli, njeriun më të suksesshëm të kësaj fushe. Këtu e kemi edhe Mimozën që është shembull i një kryetareje të suksesshme, z. Qerkezi, i cili drejton Lëvizjen për Drejtësi, që sublimon vlera të vërteta, familjare, etike, besimin në Zot e tjera”, ka thënë Mustafa.

Hoti: Reformat e planifikuara garantojnë rritje ekonomike

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se “unë besoj fuqishëm te dega e LDK-së në Rahovec dhe më 11 qershor, së bashku me partnerët e koalicionit do të dëshmojmë se ne dimë t’i çmojmë vlerat e mirëfillta, për të cilat sot ka shumë nevojë Kosova”.

Hoti ka potencuar në vendlindjen e tij, në Rahovec, se Qeveria e re, përmes Fondit të Zhvillimit, do të mbështesë idenë e çdo të riu për biznes.

“Ne kemi plan konkret për ta rritur buxhetin e Kosovës. Reformat që kemi planifikuar do ta garantojnë rritjen ekonomike. Qeveria që unë do të drejtoj, me stabilitetin buxhetor që ju garantoj se do ta ketë, do të arrijë të punësojë të gjithë ata që çdo vit bëhen të aftë për punë”, ka thënë Hoti.

Pacolli: Programi ynë ofron rritje ekonomike deri 8 për qind

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se është krenar që një djalë i tillë si Avdullah Hoti, një personalitet i tillë, e udhëheq listën dhe sigurisht Kosova do të mburret me kryeministrin e saj të ardhshëm.

“Z. Hoti, së bashku me ne do ta ndërtojë Kosovën ashtu siç e duam, do ta udhëheqë drejt shoqërive të civilizuara. Ashtu siç e tha edhe kryeministri, programi ynë ofron zhvillim, rritje ekonomike deri 8 për qind, do të ndërtojmë fabrika, do të hapim veprimtari ekonomike, do të investojmë në fshat e në qytet”, ka thënë Pacolli.

Sipas tij, do ta përmirësojmë infrastrukturën shkollore, arsimore, rrugore, do ta përmirësojmë ambientin tonë, ndërsa krijimi i tregut të përbashkët me Shqipërinë po ashtu është në planin tonë dhe diçka e tillë do të ndodhë shumë shpejt.

Ai më tej ka treguar edhe për planet e krijimit të tri platformave agro-ekonomike.

“Krijimi i tri zonave të lira ekonomike do ta bashkojë tregun me Shqipërinë dhe kështu kultivuesit e rrushit do të kenë ku ta shesin atë, vetëm një pjesë e vogël konsumohet për nevojat tona, ndërsa pjesa tjetër duhet të eksportohet, prandaj do të bëjmë që ai mall të lëviz lirshëm në të gjitha trojet shqiptare”, ka thënë Presdenti i AKR-së.

Të ngjashme