Mustafa kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet myslimane

Prishtinë | 13 Mar 2017 | 16:16 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim sekretarin e Ligës së Botës Myslimane, Muhamed Bin Abdel Kerim el Isa, i cili po qëndron në Kosovë me ftesë të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, u bisedua për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe nevojën e njohjes nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe ato me shumicë myslimane.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e Kosovës në të gjitha fushat dhe përkushtimin e  plotë për avancim të mëtejshëm të zhvillimit ekonomik dhe proceseve integruese euroatlantike.

Duke folur për procesin e fuqizimit të shtetësisë, kryeministri Mustafa theksoi nevojën që Kosova të njihet nga të gjitha vendet e botës.

 Sekretari i Ligës së Botës Myslimane, Muhamed Bin Abdel Kerim el Isa, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e kësaj Lige për njohjen e mëtejshme të Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është kauzë e drejtë, andaj të gjitha shtetet e botës duhet ta njohin shtetin e Kosovës”, tha ai, duke premtuar përkrahje në këtë drejtim.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për vlerat tradicionale të tolerancës, mirëbesimit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve etnike dhe fetare që mbizotërojnë në Republikën e Kosovës dhe aspekte tjera të zhvillimeve pozitive në vend.

Të ngjashme