Mustafa: Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së pro formimit të qeverisë me AAK-në dhe Nismë-n

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka njoftuar se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së është shprehur pro formimit të qeverisë së re me AAK-në dhe NISMA-n.

Mustafa tha se nga 124 anëtar, 114 janë përgjigjur për po, gjashtë kundër, dhe 10 anëtarë akoma nuk kanë dhënë përgjigje.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,

Ju falënderoj për shprehjen e qëndrimit tuaj në letrën që ua përcolla më dt. 12 prill dhe plotësimin e saj më 13 prill 2020.

Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, sot më 14 prill 2020 në ora 16:00, në pyetjen e shtruar:

A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe komunitetet, nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur.

Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme