Mustafa: Koalicioni PAN rrënoi çdo urëlidhje me BE-në dhe ShBA-në

Prishtinë | 28 Sht 2019 | 11:50 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa tha se koalicioni PAN, i drejtuar nga PDK, me Qeverinë Haradinaj, rrënoi çdo urëlidhje me BE-në dhe ShBA-në.

Mustafa përmes një statusi në rrjetin social Facebook përveç akuzave ndaj Qeverisë, ka thënë se koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV-së ka gjasa reale që të ndodh.

Sipas tij, me fitoren e LDK-së Kosova do të ketë qeveri evropiane, e cila do t’i ketë dyert e hapura në Bruksel dhe Washington.

Postimi i plotë:

Qytetarë të nderuar,

Koalicioni PAN, i drejtuar nga PDK, me Qeverinë Haradinaj, rrënoi çdo urëlidhje me BE-në dhe SHBA-të.

Kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli, dje në Shtërpce dhe Ferizaj konfirmoi dy gjera me rëndësi. E para, se po fiton LDK-ja dhe, e dyta, se e ka marrë vesh që s’ka koalicion me PDK-në.

Deklarata se Koalicioni ndërmjet Mustafës dhe Kurtit do të jetë koalicion i korrupsionit dhe i izolimit është huqje e llojit të vet. Por, asgjë më e mirë nuk pritet prej tij. Po e vërteton që s’po arrin të jetë politikan, por mbetet një i dështuar në zejen e vjetër të tij.

Sa i përket koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV, konsideroj se gjasat janë shumë reale. Ky koalicion i drejtuar nga LDK mund ta luftojë krimin dhe korrupsionin dhe të hapë rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës. Këtë e dëshmon fakti se në qeverisjen e LDK-së nuk ka pasur asnjë aferë korruptive dhe asnjë ministër me aktakuzë dhe se në atë periudhë është nënshkruar Marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, Marrëveshja për Stabilizim-Asocim.

Me fitoren e LDK-së më 6 tetor, Kosova do të ketë qeveri evropiane me një kryeministre evropiane, e cila do ti ketë dyertë e hapura në Bruksel dhe Washington.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme