Mustafa komenton sondazhin e KDI-së, shoqëria jonë civile është e politizuar

Prishtinë | 25 Dhj 2016 | 15:57 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar një hulumtim të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sikur thuhet me të rinj të moshave 17-21 vjeç, që e ka nxjerrë Lidhjen Demokratike si partinë e tretë në vend.

Kryeministri Mustafa, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se shoqëria civile në Kosovë, fatkeqësisht është e politizuar, dhe veç “presin në cilën parti po hyjnë”.

“Sondazh për mua janë zgjedhjet. Në zgjedhje kur të dalim atëherë e shohim se cili është rezultati konkret”, ka theksuar ai.

“Dyshoj që qytetarët e Republikës së Kosovës e përkrahin dhunën e përkrahin partitë që demonstrojnë dhunë, demonstrojnë kallje, molotov, sulm kundër institucioneve. Këtu nuk shoh asnjë arsye që një sondazh ta arsyetojë një gjë të tillë”.

Sipas hulumtimit të KDI-së, të rinjtë ndërmjet moshës 17 dhe 21 vjeçare kanë deklaruar se nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbaheshin nesër, do të votonin për këto parti politike: Lëvizja Vetëvendosje 27%; Partia Demokratike e Kosovës (20%); Lidhja Demokratike e Kosovës (13%); Aleanca Kosova e Re (7%); Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (7%) dhe Nisma për Kosovën (3%).

Gjithashtu, sipas KDI-së, të rinjtë janë pyetur se cili është politikani model për ta. Edhe këtu prin Albin Kurti i Vetëvendosjes, ndërsa Isa Mustafa del madje i teti në renditje.

Dardan Molliqaj i Vetëvendosjes ka thënë se ky sondazh që ka dalë pozitiv për VV-në, ka bërë që të heshten dy partitë në qeveri, LDK dhe PDK.

Por, kreu i Qeverisë dhe i LDK-së nuk iu beson shumë këtyre sondazheve.

“Mendoj që shoqëria civile ka të drejtë të bëjë punën e vet. Problem themelor në Kosovë është se nuk ka shoqëri civile të depolitizuar. Kemi një shoqëri civile e cila vetëm duhet me prit pak kohë për me e pa se në cilën parti po hyn, a po shkojnë në Vetëvendosje, në PDK apo po shkojnë në LDK. Ne LDK-ja nuk kemi pasur shumë që kanë ardhur”, ka thënë Mustafa, në intervistën për fundvit për Ekonomia Online, e cila do të publikohet para Vitit të Ri.

“Sa i përket se kush ka përmbush detyrime ose zotime ndaj qytetarëve është çështje tjetër për të cilën ne do të kemi përgjigjen në zgjedhjet lokale në vjeshtë të vitit të ardhshëm dhe në zgjedhjet qendrore në qershor të vitit 2018”, ka theksuar Mustafa.

isa-mustafa-ekonomia-online

Të ngjashme