Mustafa: Kosova nuk ka humbur as edhe një centimetër tokë

Prishtinë | 03 Gus 2016 | 11:27 | Nga

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në mbledhjen për Demarkacion tha se nëse del ndonjë prej komunave me fakte që Kosova ka humbur tokë atëherë kjo marrëveshje nuk do të ratifikohet.

“Nëse del ndonjë komunë e Kosovës dhe thotë që ka humbur vetëm një pëllëmbë tokë, unë e mbaj premtimin tim që nuk do të votohet ratifikimi i Demarkacionit, sepse edhe në mbledhjet me kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që i kemi mbajtur ju kam thënë që nëse Kosova ka humbur qoftë edhe një metër tokë, atëherë kjo marrëveshje nuk do të ratifikohet. Por ju siguroj që Kosova nuk ka humbur as edhe një centimetër tokë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se nuk është dëshmuar me asnjë provë se Kosovës i mungon një pëllëmbë toke.

Kryeministri Mustafa gjithashtu ka cekur se shënjimi i vijës kufitare me vendet fqinje është proces historik për vendin, sepse pas shpalljes së pavarësisë kufijtë administrativ po i shndërron në kufij shtetëror.

“Formimi i kufirit forcon shtetin e Kosovës dhe krijon kushte të marrëdhënieve stabile me fqinjët tanë. Kosova është e veçantë nga mënyra e shpalljes së pavarësisë së saj dhe ky fakt na obligon që të respektojmë zotimet tona që na e janë dhënë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, në procesin e pakos së Ahtisarit kanë qenë këshilla dhe burime të ndryshme profesionale, por nuk kishte debat shkencor. Mustafa më tej tha se kufijtë e Kosovës janë pikërisht ata që janë paraparë në Pakon e Ahtisarit.

“Kam kërkuar në mars të vitit 2012 që të trajtohen të gjithë kërkesat e banorëve të anës së kufirit dhe kur e kemi trajtuar komisionin për marrëveshjen me Malin  e Zi, jemi siguruar që gjithçka është shqyrtuar dhe që nuk kemi të bëjmë me ridefinim të kufirit por vetëm me shndërrim të asaj administratives në ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu sipas Mustafës, është nga qytetarët dhe kompanitë që të dëshmojnë se nëse ndonjë pronë e tyre qoftë publike apo private i është kaluar Malit të Zi, dhe një gjë e tillë nuk është bërë.

Mustafa gjithashtu ka theksuar se Mali i Zi ka dëshmuar se një pjesë e tokës të cilën opozita dhe disa ekspertë po mendojnë se është e jona, është e tyre.

“Puna që ka bërë komisioni shtetëror është e saktë, prandaj edhe nënshkrimi i marrëveshjes është bërë në mënyrë të duhur.Nuk guxojmë të luajmë me fatin e Kosovës për interesa politike, as të pozitës as të opozitës. Kemi plane më të mëdha, si shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura, integrimi në procese evropiane e të tjera”, tha Mustafa.

Ai ka shtuar gjithashtu se se debati i sotëm duhet të përfundojë me pranim të fakteve pasi që nuk guxojmë të luajmë me interesat e qytetarëve tanë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme