Mustafa: LDK-ja e Vjosa i hapin dyert në SHBA e BE

Gjilan | 04 Tet 2019 | 21:15 | Nga Ekonomia Online

Para mijëra qytetarëve në Gjilan, në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha të premten se vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryeministrja e ardhshme Vjosa Osmani i hapin dyert e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.

“T’ia japin besimin LDK-së sepse këtë besim e meriton LDK-ja. Në emrin tuaj i garantoj qytetarët e Kosovës se do të luftojmë për forcimin e shtetit. Jo nëpërmes barrikadimit ndaj aleatëve tanë, po nëpërmes bashkëpunimit me SHBA dhe BE-në. Me udhëheqjen e LDK-së dhe Vjosa Osmanit, Kosova do të përparojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në NATO dhe të jetë pjesë aktive e institucioneve financiare ndërkombëtare”, tha Mustafa.

Ai tha se me përkrahjen e gjerë qytetare, nuk ka asnjë dyshim se Vjosa Osmani do të jetë kryeministrja e parë e Republikës së Kosovës.

“Vjosa e ka përkrahjen e LDK-së dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për të qeverisur me ndërgjegje, me përvojë dhe me dije. Ajo dhe ekipi i saj, kanë prezantuar një program dinjitoz për shtetin dhe qytetarët. I falënderoj gjithë strukturat e partisë dhe gjithë qytetarët që i janë bashkuar projektit të LDK-së për fitore në zgjedhje”, tha kreu i LDK-së.

“Ne kemi bërë zgjidhjet më të mira brenda vetes për të ofruar zgjidhjen më të mirë për Kosovën. Qytetarët e Kosovës e dëshmuan këto ditë që e duan një LDK të unifikuar e të vendosur për t’i shërbyer Kosovës dhe qytetarëve të saj, me vizion zhvillimor e integrues. Entuziazmi i qytetarëve gjatë kësaj fushate është garanci e fitores së sigurt të LDK-së”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Kryetari i LDK-së i ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin të dielën në zgjedhje për ta bërë ndryshimin e madh, për të ardhmen e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Të ngjashme