Mustafa: LDK-ja në këto 30 vjet ishte udhëheqëse për liri, pavarësi dhe shtetndërtim

Prishtinë | 23 Dhj 2019 | 12:40 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar 30-vjetorin e themelimit të partisë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka uruar popullin e Kosovës në shënimin e përvjetorit jubilar të partisë, por pati edhe porosi për kundërshtarët, duke thënë se LDK-ja ka qëndruar e fortë dhe ka dëshmuar se do t’i respektoj të gjitha gjeneratat.

“LDK është lidhja që rilindi Kosovën me guxim dhe mençuri, vendosmëri dhe vizion rilindës të Presidentit tonë, Dr. Ibrahim Rugovës”, ka thënë Mustafa.

“LDK në këto tre dekada ishte prijatare e pluralizmi jo vetëm ndërshqiptar. Në dekadën e parë ishte udhëheqëse e rrugëtimit të gjatë për liri; dekadën e dytë, LDK ishte prijëse e përpjekjeve për pavarësi dhe në dekadën e tretë shtyllë e shtetndërtimit”.

“Prej sot që po fillon dekada e katërt, LDK është adresë e zhvillimit të projektit të Kosovës si shtet i pavarur, njohur nga bota demokratike. Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i saj gjatë gjithë jetës së tij. Rugova me politikën e urtë dhe vizionare e bëri LDK-në forcën më të madhe të integrimit dhe krijoi miq anekënd botës”.

Mustafa ka thënë se LDK-ja për 30 vjet i ka shërbyer qytetarëve të Kosovës.

Në fjalimin e tij ai ka përmendur se kësaj partie u duhet uniteti, duke përmendur ndarjen që partia kishte pësuar më 2006 si luftë për pushtet brenda saj.

“Kishim një fatkeqësi politike në Kuvendin në 2006 ku LDK-ja u nda në dy pjesë për shkak të luftës për pushtet brenda partisë në vend të 47 deputetëve, nga partia e parë atëherë ramë në partinë e 2 në fillim të vitit 2007, kjo është dëshmia më e mirë që LDK-ja ka nevojë për unitet dhe ambiciet personale t’i kalojmë ndryshe e jo përmes përçarjeve brenda subjektit tonë” .

“Është dëshmuar që LDK-ja di të balancoj në mes të gjeneratës së mesme dhe të gjeneratës së re, kemi ndërmarr veprime për të krijuar hapësirë për njerëz të rinj, në zgjedhjet 2017 me zotin Hoti dhe në këto zgjedhje me Vjosa Osmanin”, tha Mustafa, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme