Mustafa: LDK-ja, unanime për Demarkacionin

Prishtinë | 13 Pri 2017 | 08:20 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se subjekti politik që e drejton është në përkrahje të plotë të demarkacionit me Malin e Zi.

Këto komente shefi i ekzekutivit të vendit i ka bërë të mërkurën pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

“Ne diskutuam dy çështje që janë aktuale, atë të përgatitjes së LDK-së për zgjedhje dhe çështjen e qëndrimeve politike të LDK-së lidhur me demarkacionin me Malin e Zi dhe liberalizimin e vizave. Kishte diskutime të deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit. Si LDK ne kemi pasur qëndrimet tona në përkrahje të plotë të Demarkacionit dhe vizave”, deklaroi Mustafa.

Tutje ai ka thënë se pret që deputetët kundërshtues të Demarkacionit brenda partisë së tij ta respektojnë vendimin e LDK-së për këtë çështje.

“Sot edhe një herë kërkova rikonfirmimin e këtij qëndrimi dhe Këshilli i Përgjithshëm me shumicën absolute të votave ka votuar për qëndrimin politik për liberalizim dhe për Demarkacionin. Natyrisht ne nuk i detyrojmë deputetët, por të gjithë ata deputetë që respektojnë LDK-në do t’i respektojnë këto vendime. Pres nga deputetët që ta respektojnë partinë që i ka çuar në Kuvend sepse nuk janë deputetë të pavarur, por deputetë që duhet t’i përfaqësojnë politikat e LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Mustafa nuk ka dhënë datë se kur do të procedohet Demarkacioni në Kuvend, duke shtuar se kjo do të bëhet pas konsultimeve me PDK-në dhe me Listën Serbe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme