Mustafa: Marrëveshjet e 25 gushtit kanë ngecur së zbatuari

Prishtinë | 25 Gus 2017 | 12:57 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, nënshkroi dy vjet më parë katër marrëveshje me Serbinë në Bruksel, për Asociacion e komunave me shumicë serbe, atë për energjinë, telekomunikacionin dhe marrëveshjen për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, raporton EO.

Tash ai po thotë se marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar sa duhet.

“Disa prej atyre marrëveshjeve kanë ecur përpara, ajo çfarë ka ngecur është marrëveshja lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Gjykata Kushtetuese e ka dhënë vlerësimin e saj lidhur me këtë marrëveshje, Gjykata ka thënë se marrëveshja duhet të zbatohet në korniza të cilat i ka rekomanduar Gjykata Kushtetuese dhe unë mendoj se çdo qeveri duhet të zbatoj këtë vendim që asociacioni të themelohet por të themelohet mbi bazën e vendimit të kushtetueses që nënkupton se asociacioni në asnjë rast nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë”.

Sa i përket kodit telefonik shtetëror +383 Mustafa tha se qeveria ka kryer obligimet e saj, por nuk dha afat se kur do të hy në përdorim ky kod.

“Është realizuar marrëveshja për telekomin e cila ka qenë e trajtuar edhe atëherë dhe unë mendoj se është bërë një punë shumë e rëndësishme sepse ne do ta kemi tani jo vetëm numrin tonë por do të qeverisim edhe me sipërfaqen tonë të telekomunikacionin brenda territorit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Edhe marrëveshja për energjinë nuk po gjen zbatim.

“Ka mbetur peng edhe Marrëveshja për Energjinë qysh atëherë dhe ky është një prej problemeve mjaft të mëdha për arsye sepse humbim shumë materialisht por po humbim edhe në aktivizimin e largpërçuesit që e kemi me Shqipërinë të cilin së bashku me Bankën Gjermane për Zhvillim. Me Shqipërinë bashkërisht kemi investuar mbi 70 milion euro të cilat nuk po aktivizohen për arsye se kanë mbetur peng i kësaj marrëveshje. E kam hapur këtë çështje edhe në takimin që e mbajtëm në Itali dhe kam kërkuar përkrahjen e BE-së që këtë proces ta kapërcejmë”, tha Mustafa.

Mustafa nuk foli edhe për marrëveshjen për revezitalizimin e urës së Ibrit. Në pjesën jugore projekti ka përfunduar ndërsa është ndërpre në atë veriore me ndonjë arsyetim zyrtarë.

Isa Mustafa në takimin e kryeministrave të Ballkanit në Durrës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, do të marrë pjesë në takimin joformal të kryeministrave nga vendet e  Ballkanit Perëndimor, këtë fundjavë.

Mustafa është shprehur se takimi në Durrës, është i drejtuar mbi dokumentet e pajtuara në Trieste.

“Do të shohim se çfarë mekanizma do t’i ndërtojmë bashkërisht në mënyrë që ky orientim të realizohet. Kemi interes të rrisim bashkëpunimin ekonomik në rajon”, është shprehur Mustafa.

Veprimtaria njëditore e këtij takimi të  do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë së cilave do të diskutohen tema si tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia digjitale.

Pritet që Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes.

Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit.

Në këtë takim do të marrin pjesë Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiç, Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviçm, si dhe Komisioneri Johannes Hahn dhe Z. Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore.

 

Të ngjashme