Mustafa: Më e drejtë që fituesin ta përcaktojnë qytetarët që jetojnë në Kosovë, jo Diaspora

Prishtinë | 17 Tet 2019 | 23:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se do ta pranojnë rezultatin final – edhe nëse Vetëvendosja del që është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Unë kam thënë që më së lehtë do të ndihesha sikur Vjosa Osmani të ishte kryeministre dhe jo Albin Kurti, por do të mbetet ashtu si ka vendosur sovrani. Nëse sovrani ka vendosur që Vetëvendosja të jetë në krye të qeverisës së vendit kjo do të jetë e pranueshme për të gjithë ne”.

Ai, duke folur për ndikimin e diasporës në rezultatet finale, ka thënë në Zonën e Debatit në Klan Kosova se do të preferonte që votat nga diaspora të mos jenë kyçe në përcaktimin e fituesit.

“Për shkaqet e përcaktimit ose parapërcaktimit të fituesit, mendoj se do të ishte më e drejtë dhe e udhës që fituesin ta përcaktojnë qytetarët që jetojnë në Kosovë, por nuk dëshiroj të minimizoj dhe të vë në periferi qytetarët që jetojnë jashtë sepse ata kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet e 90-ta në kohën kur Kosovës i është dashur mbijetesa të cilën e kanë siguruar ata”.

“Në pikëpamje të vlerësimit të gjendjes brenda, mënyrës së qeverisjes dhe ardhmërisë së vendit kemi vrojtime që ndonjëherë nuk përputhen rreth asaj çka ndodh brenda”.

“Unë kam jetuar nëntë vjet në ekzil dhe nga jashtë Kosova shihet shumë e fokusuar. Një ngjarje e zezë në Kosovë e qet Kosovën krejt që është zi, derisa një ngjarje e bardhë në Kosovë bën që të mendohet nga jashtë se është zgjidhur problemi i Kosovës”.

Mustafa: S’bëra koalicion individual me PDK-në, votoi Këshilli

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur rreth koalicionit me Vetëvendosjen duke thënë se kjo parti merr vendime të përbashkëta dhe jo individuale për këso vendime të mëdha.

Ai ka përmendur edhe koalicionin e mëparshëm me PDK-në duke thënë se nuk ishte vetëm vendim i tij, por i Këshillit, njofton Klan Kosova.

“Zgjidhjen për koalicionin me Vetëvendosjen do ta gjejmë në organet e LDK-së sepse ato vendosin për marrëveshje të tilla në Kryesi dhe Këshill të Përgjithshëm dhe mos të vjen nesër që kryetari i LDK-së e bëri një koalicion për të cilin ne kemi qenë pro ose jo sikurse kemi vepruar atëherë për koalicionin me PDK-në”.

“As me PDK-në s’kam bërë koalicion individual por kemi dalë në Këshill të Përgjithshëm dhe prej 101 vetëve vetëm katër vetë kanë qenë kundër koalicionit, të tjerët të gjithë kanë qenë që ta nxjerrim vendin prej krizës ku kemi qenë”.

Msutafa në Zona e Debatit tha se në këtë mënyrë do ta lidhin edhe koalicionin me Vetëvendosjen, por për këtë kusht është gjuha e përbashkët.

“Për të qeverisur duhet të kemi korrektësi mes vete dhe propocionalitet të plotë në peshën e qeverisjes sepse dallimi mes nesh në vota është i vogël dhe nuk mund të rritet me votat e diasporës, me kusht dhe ato të personave me aftësi të veçantë”.

“Nëse ne gjejmë gjuhë të përbashkët dhe këtu nuk kam parë të kundërtën me Albin Kurtin kur kemi diskutuar në tavolinë”.

“Po ashtu shoh se ka klimë për të bërë këtë koalicion te përkrahësi dhe kjo mund të shihet edhe në media dhe debatet të ndryshme politike. Por LDK nuk varet nga ajo”.

Të ngjashme