Mustafa: Mjekët po bëjnë punë titanike, është e ulët që dikush nga mediet dhe politika të tentojë të përdhosin

Prishtinë | 09 Dhj 2020 | 22:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se mjekët ka 9 muaj që nuk kanë jetë private dhe nuk kanë kohë të kujdesen as për familjet e tyre, duke punuar për të përballuar fluksin e pacientëve të prekur nga Covid-19.

“Prandaj është e ulët që dikush nga mediat dhe politika të tentojë të përdhosin këtë punë titanike. S’kanë as të drejtë morale, sepse disa prej tyre kanë paga disafish më të larta se të mjekëve, bëjnë jetë të lirë, larg përgjegjësisë për të sëmurit dhe për familjarët e tyre dhe marrin guxim të mbjellin defetizëm, në emër të lirisë së fjalës, ka shkruar Mustafa, në faqen e tij në Facebook.

POSTIMI I PLOTË:

Pacientët me Covid-19 në QKUK dhe në spitalet rajonale kryesisht shprehen mirë për punën që po e bëjnë mjekët dhe personeli tjetër shëndetësor.
Është një lloj mrekullie që në mungesë të kapaciteteve hapësinore e njerëzore, me telashe të furnizimit me oksigjen të përballohet fluksi i pacientëve që kanë nevojë.

Kur bisedon me mjekët tanë, thonë se ka 9 muaj që nuk kanë jetë private. Nuk kanë kohë të kujdesen as për familjet e tyre. Prandaj është e ulët që dikush nga mediat dhe politika të tentojë të përdhosin këtë punë titanike. S’kanë as të drejtë morale, sepse disa prej tyre kanë paga disafish më të larta se të mjekëve, bëjnë jetë të lirë, larg përgjegjësisë për të sëmurit dhe për familjarët e tyre dhe marrin guxim të mbjellin defetizëm, në emër të lirisë së fjalës.

Të sëmurëve iu nevojitet kurajo, besim se do të shërohen. Mjekët, drejtuesit e SHSUK-së, klinikave dhe spitaleve , së paku meritojnë respektin tonë dhe përkrahjen tonë për një punë të përgjegjëshme dhe me sakrificat ditore që po bëjnë. IM

Të ngjashme