Mustafa: Ndryshimi i kufijve do të nënkuptonte hapje të shtetësisë së Kosovës

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 16:25 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kryetari i kësaj partie Isa Mustafa, në konferencë për medie ka thënë se u diskutua për temat e fundit në Kosovë dhe Samitin e Berlinit, raporton Ekonomia Online.

 “Edhe sot në kryesi janë hapur shumë çështje të situatës politike në vend, asaj që ka të bëj me dialogun, veçmas të Samitit në Berlin. Konfliktet dhe mosmarrëveshjet që kemi mes liderëve institucional që po lënë një figurë dhe përshtypje shumë të keqe, në një proces me Serbinë dhe në njohjen reciproke”, ka thënë ai.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje për të dalë nga situata në Kosovë janë zgjedhjet e parakohshme.

“LDK-ja  ka pasë të drejtë në qëndrimet që dialogu të mos prekë çështjen e kufijve, shkëmbimin e territoreve apo demarkacionit sepse kjo është rregullu me Kushtetutë dhe deklaratën e pavarësisë dhe një gjë e tillë do nënkuptonte hapje të shtetësisë së Kosovës. Samiti i Berlinit i ka dhënë kahje kësaj çështje sepse ka konsideruar se do jetë e dëmshme për rajonin nëse hapet çështja e territorit. Si LDK do të angazhohemi që të gjendet zgjidhje për dialogun dhe mbetet zgjidhja më e mirë shkuarja në zgjedhje”, tha ai.

I pyetur për kërkesën e Merkelit për pezullim të taksës, ai tha se qëndrimet e strukturave politike po ndryshojnë teksa shton se dialogu nuk duhet të kushtëzohet me taksë.

“Sa i përket taksës mund të them se kemi zëra që po ndryshojnë çdo ditë. Edhe presidenti, kryetari kuvendit subjektet kanë kërku të ndërmerren masa. Deklaratat e fundit të tyre po del se ata janë kundër taksës. Institucionet e vendit duhet ta mendojnë mirë këtë çështje taksa nuk duhet të kushtëzohet nga askush. Taksa nuk është vënë për dialogun. Qeveria e ka marrë këtë vendim dhe ne e mirëpresim këtë qëndrim.  LDK konsideron se pas zgjedhjeve në komisionin evropian, duhet ti hapim rrugë këtij procesi por me një qëndrim unik të Kosovës lidhur me procesin”, tha Mustafa.

Mustafa shton se nuk ka një koalicion LDK-VV, por që bashkëpunimi i tyre është vetëm opozitar.

“Sa i përket koalicioneve me VV-në i kemi për të bërë opozitë. Po bashkëpunojmë në fushën e opozitarisë. Nuk kemi relacione se si do shkojmë në zgjedhje të ardhshme. Nëse ne vlerësojmë se mund t’i fitojmë vetë shkojmë vetë që është dëshira më e madhe e LDK-së. Nëse vlerësojmë se duhet të shkojmë me dikë, atëherë ulemi e bisedojmë për t’i gjetur alternativat. Çdo variant të koalicionit ne nuk heqim dorë prej kandidatit për kryeministër nga LDK”, tha Mustafa.

Sa i përket takimit të sotëm me kryetarët e degëve të LDK-së, ai tha se deri më tani procesi është i rregullt ndërsa tha se po punojnë në fuqizimin e rolit të gruas brenda kësaj partie dhe në shoqëri.

“Kemi vërtetuar se procesi zgjedhor është duke shkuar në mënyrë normale sepse kemi përfaqësim të të gjitha strukturave. Kemi respektim të procesit zgjedhor. Duhet të bëjmë përpjekje për shtimin e përfaqësimit të gruas dhe të rinjve dhe këtë e kemi kërkuar sot nga degët sepse vlerësojmë lartë rolin e gruas në LDK dhe në shoqëri”, tha Mustafa.

E, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha se nuk mund të përgjigjet tani nëse do kandidoj për kryetar të LDK-së.

“Kur përfundon ky proces do të jetë edhe deklarimi im publik”, tha ai.

Të ngjashme