Mustafa: Në dialogun më Serbinë nuk ka marrëveshje të veçantë, duhet njohje reciproke

Prishtinë | 26 Kor 2020 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se në dialogun me Serbinë nuk ka ndonjë marrëveshje të veçantë, përpos asaj të njohjes reciproke.

Mustafa këtë qëndrim thotë se e ka shprehur pas një bisede telefonike që ka bërë me Koordinatorin Shtetëror për Dialog, Skender Hysenin.

Ish-kryeministri Mustafa në një postim në Facebook, ka thënë se në procesin e dialogut duhet dhënë mbështetje kryeministrit, Qeverisë, Presidencës dhe gjithë mekanizmave shtetëror të përfshirë në dialog.

Postimi i plotë i Mustafës:

Sot kisha një bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror  për dialog. Shpreha përkrahjen time dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke. Se dialogu është krejtësisht politik dhe rezulton me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke.

Poashtu është për tu vlerësuar deklarimi i qartë nga takimi i Koordinatorit Shtetëror, z. Hyseni me z. Philip Reeker, Asistent Sekretar Kyesor për  Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan te Shtetit, që dëshmon përkushtimin dhe rolin aktiv të SHBA-së në procesin e dialogut.

Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme Kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e qojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç. IM

Të ngjashme