Mustafa në Forumin e Salzburgut i kërkon Serbisë që të mos përfshihet në punët e brendshme të Kosovës

Prishtinë | 08 Nën 2019 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, mori pjesë në ministerialin e Salzburgut, i cili po zhvillohet në Vjenë të Austrisë.

Në ministerial përfaqësohen vendet anëtare të Forumit të Salzburgut dhe vendet mike, mes tyre Kosova,Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Në këtëForum u diskutuan çështja e migrimit të paligjshëm, kontrolli kufitar, lufta kundër kontrabandimit me migrant dhe çështjet tjera të sigurisë.

Në këtë takim i cili po udhëhiqet nga ministri i Brendshëm i Austrisë, z. WolfgangPeschorn, ministri Mustafa theksoi nevojën e bashkëpunimit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, vendeve të origjinës së migrantëve, si dhe në nivel të Bashkimit Evropian.

Ministri Mustafa njoftoi shtetet pjesëmarrëse me veprimet që janë ndërmarrë në menaxhimin e fluksit të migrantëve, si dhe veprimet e policisë në luftimin e kontrabandimit me migrantë.

Gjatë konferencës ministri Mustafa u përball disa herë me përfaqësuesen serbe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila duke përdorë mentalitetin e regjimit të Millosheviqit, u mundua të paraqesë fëmijët kosovarë të kthyer së fundmi nga Siria si terroristë dhe të rrezikshëm për rajonin e Evropën.

Ministri Mustafa kërkoi nga përfaqësuesja serbe që të përmbahet nga deklarata të pavërteta, që nxisin urrejtje dhe tëmos përzihet në punët e brendshme të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesja serbe mbeti e vetmuar në përpjekjet e saja të dështuara për shfaqur të pavërteta të tjera, pasi që nuk iu dha më fjala dhe nuk mori asnjë përkrahje nga të pranishmit.

Ministri Mustafa i njoftoi të pranishmit se kthimi i 110 shtetasve nga Siria, prej tyre 74 fëmijë dhe 32 gra, ka vendosur një standard të ri dhe me këtë Republika e Kosovës ka treguar përkushtim e saj nëmarrjen e përgjegjësive shtetërore. Ai gjithashtu theksoi se për këtë operacion Republika e Kosovës është vlerësuar lartë nga SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare.

Forumi i Salzburgut është një partneritet i Sigurisë së Evropës Qendrore të Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Në këtë Forum, shtetet anëtare bashkëpunojnë në fushat e bashkëpunimit policor, migracionit të paligjshëm, mbrojtjen e dëshmitarëve, luftën kundër drogës, sigurinë në trafik dhe fusha të tjera të sigurisë së brendshme. Ata gjithashtu përqendrohen në koordinimin e pozicioneve dhe avancimin e interesave të përbashkëta në Bashkimin Evropian në fushën e sigurisë së brendshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme