Mustafa në Han të Elezit: Besimi ndaj Hyrijetes është respekt ndaj grave

Hani i Elezit | 26 Sht 2017 | 18:32 | Nga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, u ka bërë thirrje të martën qytetarëve të Hanit të Elezit të votojnë kandidaten Hyrijete Isufi për kryetare të kësaj komune, e vetmja grua e nominuar nga LDK për kryetare komune.

Mustafa ka theksuar se LDK synon fitore edhe në komunën e Hanit të Elezit, duke shtuar se kandidatja për kryetare, Hyrijete Isufi, duke qenë mësimdhënëse e shumë gjeneratave, do të dijë të punojë për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të Hanit të Elezit.

“Besimi ndaj Hyrijetes është respekt ndaj grave, shenjë civilizimi i qytetarëve të Hanit të Elezit. Nuk ka arsye më të fortë për ta mbështetur Hyrijeten sesa fakti se duke mbështetur atë, se ne u besojmë arsimtarëve tanë që kanë edukuar gjenerata të tëra, sepse ata e dinë çfarë duan gjeneratat”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, LDK e Hanit të Elezit dhe e Kaçanikut, me kandidatët për kryetar komune dhe me listat për asambleistë komunalë, janë shembull i shkëlqyeshëm se si duhet të vlerësojmë rolin e rinisë dhe gruas në shoqëri dhe qeverisje.

“Ju kërkoj të përkrahni kandidatët për asambleistë, ta zgjedhim Hyrijeten kryetare. Ne do ta përkrahim sepse kemi kë, një grua të Kosovës që meriton të jetë në krye të kësaj komune”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, zgjedhja e një gruaje në pozitën e kryetares së komunës së Hanit të Elezit, siguron qeverisje të drejtë, të shëndoshë, të pakorruptuar dhe qeverisje me perspektivë zhvillimore.

Kandidatja e LDK-së për kryetare të komunës së Hanit të Elezit, Hyrijete Isufi, ndërkaq ka premtuar që me ekipin e saj dhe duke u bazuar në platformën e LDK-së, do të vendos qeverisje me duar të pastra dhe pa korrupsion e pa nepotizëm.

“Mbështetja e qytetarëve të Hanit të Elezit më 22 tetor do t’i japë rast kthimit të shpresës dhe mundësive të barabarta për gjithë qytetarët e komunës sonë”, ka thënë Isufi, sipas të cilës, prioritetet e përcaktuara nga ekipi i saj për qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare janë të realizueshme.

Ajo ka premtuar zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë për të gjithë banorët e Hanit të Elezit, vazhdimin e ndërtimit të çerdhes së fëmijëve, ndërtimin e tregut të qytetit, mirëmbajtjen e varrezave aktuale e caktimin e një lokacioni të ri për varrezat e qytetit, ndërtimin e fushës së futbollit, ringjalljen e ekipit futbollistik “Sharri” dhe shoqërisë kulturore-artistike “Sharri”.

“Prioritete themelore të qeverisjes sonë do të jenë arsimi dhe shëndetësia. Ne garantojmë depolitizim të plotë të arsimit e shëndetësisë dhe rritjen e cilësisë, përmes vendosjes së kriterit të meritokracisë në këto dy fusha të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë kandidatja e LDK-së për kryetare të Hanit të Elezit, Hyrijete Isufi.

Sipas saj, programi i saj i qeverisjes parasheh uljen e taksave për bizneset lokale deri 50 për qind, ndërsa bizneseve të grave ka premtuar t’ua heqë taksat për të paktën 4 vjet sa do ta qeverisë Hanin e Elezit.

Ajo ka premtuar edhe menaxhim efikas të parasë publike, duke theksuar se do të ulen në mënyrë drastike shpenzimet e luksit dhe buxheti i komunës do të përdoret me efikasitet për t’u shërbyer sa më shumë qytetarëve të Hanit të Elezit dhe nevojave të tyre për një jetë më cilësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme