Mustafa në Londër vlerëson përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar

Prishtinë | 03 Nën 2016 | 15:08 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve, Mbretëri e Bashkuar-SHBA-Kosovë, e cila u zhvillua në Londër, thuhet në komunikatën për media nga zyra e kryeministrit.

Të pranishëm në Forum ishin përfaqësues të Parlamentit Britanik, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe të SHBA-ve në Kosovë, drejtues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, drejtues të asociacioneve dhe biznesmenë.

Mustafa foli për proceset shtetndërtuese në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, të SHBA-ve dhe vendeve tjera perëndimore. |Ky proces ka qenë jo i lehtë, por me ndihmën tuaj shumë të vlefshme, kemi arritur të ndërtojmë institucione të qëndrueshme demokratike dhe bazë të mirë të ekonomisë së tregut”, tha kryeministri.

Ai veçoi faktin se Kosova ka një popullatë të re, ku mbi 50% janë më të rinj se 26 vjeç, shumë dinamike dhe e përshtatshme për treg të punës. “Në vitin 2015 kemi arritur rritje ekonomike prej 4%, këtë vit parashohim rritje ekonomike prej 4.4% dhe një rritje më të madhe të punësimit”, bëri të ditur kryeministri.

Më tutje, Mustafa, ka prezantuar disa aspekte që kanë të bëjnë me infrastrukturën, energjinë, tregun financiar, bashkëpunimin në regjion dhe me institucionet financiare ndërkombëtare.

Ai theksoi se përmes politikave fiskale është përmirësuar ambienti i të bërit biznes, sidomos sa i përket fushës së prodhimit ku janë liruar nga obligimet fiskale importimi i lëndës së parë dhe makinerisë prodhuese.

Në pjesën hyrëse, të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu janë drejtuar edhe ish-drejtuesi i Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin Britanik, John Grogan, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie dhe ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci.

Më pas, janë zhvilluar tri sesione, të cilat janë fokusuar në zhvillimin e sektorit ekonomik dhe financiar si dhe investimet në sektorët kyç, ku kanë prezantuar ministrat Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Memli Krasniqi dhe Blerand Stavileci

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme