Mustafa në Samitin e Liderëve, kërkon projekte konkrete zhvillimore

Prishtinë | 04 Kor 2016 | 20:40 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili po zhvillon punimet në Paris.

Mustafa mori pjesë në takimin qendror të Samitit, ku ishin të pranishëm presidenti francez Hollande, kancelarja gjermane Merkel, kancelari austriak Kern, kryeministri italian Renzi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë.

Në fjalën e mbajtur, kryeministri ka listuar projektet konkrete zhvillimore për të cilat ka interes të përbashkët në rajon, shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim me vendet e rajonit si dhe vlerësoi rezultatet që po jep procesi i nisur në Berlin.

Të pranishëm në punimet e samitit janë edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Mustafa foli për proceset eurointegruese të Kosovës, duke përfshirë MSA-në dhe rekomandimin për liberalizim të vizave.
“Besoj thellë se është në interes të BE-së që të hapë më shumë mundësi për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha kryeministri.

Ai prezantoi edhe proceset konkrete ku ka nevojë për bashkëpunim më të madh ndërmjet vendeve të rajonit si zhvillimi ekonomik, qarkullimi i lirë dhe energjia.

Me këtë rast, kryeministri bëri thirrje që Serbia të kryej obligimet dhe të mundësohet funksionalizimi i projekteve moderne në të mirë të të gjitha vendeve të rajonit, siç është transmisioni i energjisë.

Kreu i Qeverisë ka listuar një numër të projekteve në fushën e transportit, ambientit dhe energjisë, si linja 10 e hekurudhës që lidh Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin, kompletimi i Autostradës 7 që lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe me Nishin në Serbi, i cili do të lidhte Detin Adriatik nga Durrësi me korridorin 10 të Rrjetit Evropian.

Ai foli edhe për punën që po bëhet në përfundimin e Autostradës për Shkup si dhe mundësinë e zgjatjes së pistës së Aeroportit të Prishtinës.

Në sektorin e energjisë, kryeministri tha se po punohet në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, në riaftësimin e kapaciteteve ekzistuese si dhe interesimin që të ndërtohen linjat e interkoneksionit me vendet e rajonit.

Duke u referuar rritjes ekonomike prej 4 % të Kosovës, kryeministri Mustafa prezantoi punën që po bëhet që këtë vit rritja të jetë edhe më e madhe.
“Kemi nevojë të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për investime më të mëdha, huazime më të volitshme, të cilat do të krijonin kushte të kapërcejmë problemin e papunësisë së lartë sidomos të të rinjve dhe grave”, tha kryeministri duke theksuar
nevojën që të mendohet edhe për treg të përbashkët të kapitalit.

Kryeministri vlerësoi edhe themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, si një impuls i duhur që do të krijoj ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor.

Në fund, kryeministri Mustafa ka shprehur besimin e palëkundur të qytetarëve të Kosovës në vlerat evropiane dhe në Bashkimin Evropian si familje e popujve.
“Duke pas parasysh këtë besim dhe përcaktim popullor, Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për avancimin e agjendës eurointegruese. Republika e Kosovës beson dhe po punon që të jetë pjesë e familjes evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Gjatë Samitit të Parisit, kryeministri Mustafa do të takohet me drejtuesit e shteteve të BE-së si dhe homologët nga vendet e rajonit.ZKP-7

ZKP-6

ZKP-5

ZKP-4

ZKP-3

ZKP-2

Të ngjashme