Mustafa: Nëntë vjet pas pavarësisë po dalim prej varfërisë

Prishtinë | 16 Shk 2017 | 15:55 | Nga

Kryeministri Isa Mustafa gjatë seancës solemne për nder të 9-vjetorit të Pavarësisë, ka thënë se kjo është një datë kur numërohen punët e mira që janë bërë, dhe synimet për të ardhmen.

Sipas tij, viti i kaluar kishte të arritura të konsiderueshme në forcimin dhe konsolidimin e shtetësisë së brendshme dhe në ndërkombëtarizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Më lejoni që në këtë përvjetor të nëntë të shtetit tonë, të japë edhe një lajm të  mirë për Kosovën. Them se në saje të rritjes së vazhdueshme ekonomike, po arrijmë që këtë vit të dalim nga pragu i varfërisë dhe sipas kritereve të Bankës Botërore, nga ky vit, vendi ynë do të konsiderohet vend me të ardhura të mesme”.

Mustafa tha se kërkesën e disave për të shkuar në zgjedhje, e kanë zëvendësuar me alternativën për një zhvillim të Kosovës.

Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në ceremoninë qendrore me rastin e Festës së Pavarësisë:

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Veseli
I nderuar President i Republikës së Kosovës, shkëlqesia juaj, z.Hashim Thaçi
I nderuari kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari kabinet qeveritar,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Është nderë për mua që t’ju drejtohem në këtë ceremoni shtetërore të nëntëvjetorit të pavarësisë së shtetit tonë, në këtë datë ku janë sublimuar vlerat më të larta të idealeve, aspiratave, kontributit dhe vizionit të popullit tonë.

Kjo datë dhe kjo ditë është futur në historinë tonë. Ajo nuk është futur rastësisht, por është kontribut i dekadave të punës, vizionit dhe të përkushtimit të popullit tonë për të jetuar të lirë dhe të barabartë me kombet e botës.

Prandaj në këtë përvjetor u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë shkrirë mendjen dhe kanë dhënë jetën, që Kosova sot të frymojë e lirë, sovrane, e pavarur dhe demokratike.

Ky kontribut i patriotëve shqiptarë ndër shekuj dhe dekada, kulmoi në vitet e 90-ta me Presidentin historik dhe ideologun e shtetit tonë, Dr. Ibrahim Rugova, i cili aspiratën tonë për liri, pavarësi dhe demokraci e bëri realitet dhe mori përkrahjen e miqve tanë euroatlantikë.

Vizioni Rugovian për liri dhe paqe në Ballkan, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Bashkimit Evropian, vazhdoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me Komandantin legjendar Adem Jashari. Këto janë vlera tona kombëtare, janë vlera universale, që dëshmojnë se edhe popujt e vegjël, në gjirin e tyre rrisin njerëz më të mëdhenj.

Në nëntëvjetorin e pavarësisë, Kosova është një vend demokratik që prodhon paqe në Ballkan dhe është pjesë e të gjitha iniciativave rajonale, evropiane dhe globale që promovojnë siguri dhe prosperitet për shtetet tona. Por, në rast të provokimeve që cenojnë sovranitetin tonë, Kosova vepron me maturi si shtet kredibil.

Për këto vite, Kosova, në bashkëpunim me aleatët tanë euroatlantikë, ka konsoliduar demokracinë dhe i ka forcuar institucionet shtetërore, për të garantuar sovranitetin tonë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Si demokraci e re Kosova ka dhënë dëshmi të fuqishme për luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, dhe kjo është thënë publikisht nga miqtë tanë amerikanë dhe evropianë.

Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë vend i mundësive të reja për të gjitha komunitetet dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie, fetare apo dallime tjera, ndërkaq të gjitha dallimet në Kosovë gjithnjë e më shumë po shndërrohen në begati dhe në forcën tonë të përbashkët.

Të nderuar të pranishëm,

Përvjetori i Pavarësisë është edhe një datë kur numërojmë punët e mira që kemi bërë, por edhe prezantojmë synimet për të ardhmen.

Viti që po e lëmë pas kishte të arritura të konsiderueshme në forcimin dhe konsolidimin e shtetësisë sonë të brendshme dhe në ndërkombëtarizimin tonë në arenën ndërkombëtare.

Për herë të parë nga prilli i vitit të kaluar, Kosova vendosi në fuqi një marrëveshje kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe ajo është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, që e bëri vendin tonë pjesë të pandashme të një tregu prej mbi 500 milionë banorësh dhe të një arene tepër të rëndësishme për ne.

Të nderuar qytetarë,

Më lejoni që në këtë përvjetor të nëntë të shtetit tonë, të japë edhe një lajm të  mirë për Kosovën. Them se në saje të rritjes së vazhdueshme ekonomike, po arrijmë që këtë vit të dalim nga pragu i varfërisë dhe sipas kritereve të Bankës Botërore, nga ky vit, vendi ynë do të konsiderohet vend me të ardhura të mesme.

Mbetet që ne të punojmë shumë, që t’i thellojmë rezultatet tona dhe që të përmbushim të gjitha kërkesat që qytetarë i kanë para nesh.

Agjenda e integrimeve evropiane është pika ku na bashkon të gjithëve neve në Kosovë, pavarësisht bindjeve politike dhe pavarësisht përkatësive etnike.

Klasa politike, ekzekutivi, ligjvënësit, bota akademike dhe shoqëria civile, duhet t’i tejkalojnë dallimet e vogla, për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ne do të dëshmojmë para qytetarëve tanë dhe para miqve tanë, se kur është fjala për interesa madhore kombëtare jemi të gjithë të bashkuar.

Kosova do të forcohet dhe do të zhvillohet për t’ju dhënë rast dhe për të  dëshmuar para aleatëve tanë se investimi në vendin tonë, është investim për liri, është investim për paqe dhe investim për të gjithë të mirat që ne duhet t’i gëzojmë bashkërisht në këtë rajon dhe më gjerë.

Kosova ka sfida, por Kosova ka stabilitet makroekonomik dhe buxhetor, ka institucione të forta dhe të afta demokratike, ka orientim të qartë evropian dhe euroatlantik, prandaj ardhmëria e saj është forcë e saj dhe është siguri e saj.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,            

Kërkesën e disave për të shkuar në zgjedhje që për neve do të ishte alternativa më e lehtë, e kemi zëvendësuar me alternativën më të rëndë, me përkushtimin tonë për të punuar, për të bërë zgjidhje për problemet me prioritet për Kosovën, zgjidhje për liberalizimin e vizave, zgjidhje për zhvillimin ekonomik, zgjidhje për implementimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, zgjidhje për avancimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe gjithë komuniteteve në vendin tonë dhe zgjidhje për shtrirjen e sovranitetit tonë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Të nderuar, qytetarë, të nderuar deputetë,

Në emër të Qeverisë  ua uroj Festën e Pavarësisë, duke i dëshiruar atdheut tonë Kosovës, paqe, prosperitet dhe integrim në familjen tonë të përbashkët evropiane.

Gëzuar!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme