Mustafa: Njerëzit e Kurtit po i konsiderojnë qëndrimet e tyre si qëndrime të Qeverisë

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke folur për deklaratën e Agim Veliut për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme ka thënë se ministrat kishin të drejtë të jepnin mendimet e tyre për këtë çështje.

Ai në Rubikon me Adriatik Kelmendin ka thënë se ministrat mund të deklaroheshin për shpalljen ose jo të Gjendjes së Jashtëzakonshme, sepse qeveria ende nuk kishte marrë vendim për këtë çështje dhe ishte ende vetëm propozim.

“Ajo që dëshiroj të them është se kjo qeveri dhe njerëzit e Kurtit, por edhe Kurti po i konsiderojnë qëndrimet e tyre si qëndrime të Qeverisë. Po të ishte ashtu, nuk do të kishte pasë nevojë për qeveri fare, sepse vetëm kryeministri do të kishte marrë vendime në emër të Qeverisë”.

“Qeveria nuk ka diskutuar për këtë çështje, sepse nuk ka pasur vendim të qeverisë se a duhet të shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme, por ka pasur mendime të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit dhe të një ministri që nuk janë përputhur”.

“Sikur të kishte vendim të qeverisë edhe unë do të pajtohesha, por përse qenka e lejuar që Haki Abazi të thotë se nuk duhet të ketë masa të jashtëzakonshme, ndërsa Agim Veliu nuk bën të deklarohet kështu?”.

Mustafa ka thënë se nëse Kurti ndjehet si kryeministër absolut që askush nuk duhet të mendojë dhe flasë ndryshe, atëherë lidershipi i tij është në kundërshtim me rendin kushtetues në Kosovë.

“Nëse Kurti e ndjen veten si sundimtar ose kryeministër absolut që askush nuk duhet të thotë asgjë ndryshe me ato që i mendon ai, atëherë kjo është çështje e karakterit të tij – është çështje e sistemit të lidershipit të tij që është në kundërshtim me rendin tonë kushtetues.”

Të ngjashme