Mustafa: Nuk është koha për zgjedhje të parakohshme

Prishtinë | 02 Maj 2017 | 18:34 | Nga

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa ka thënë se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme.

“S’është koha për zgjedhje. Është koha për zgjedhje lokale dhe jo qeveritare”, tha Mustafa.

Sipas tij, ndonëse shpesh herë është dëshiruar prishja e koalicionit LDK-PDK, kjo jo domosdoshmërisht sjell ndryshime.

“Ky divorc është dëshiruar moti prej shumëkujt dhe prej shoqërisë civile. Ne duhet të mësohemi që të kemi një normalitet sepse ne në zgjedhje mund të shkojmë çdo herë. Por çka pas zgjedhjeve, si do të shkojë ekonomia dhe shumë gjëra tjera”.

“Partneri ynë i koalicionit nuk e ka përjashtuar mundësinë për të shkuar në zgjedhje. Dy liderët e koalicionit i marrin vendimet, por unë i frikësohem një gjëje se prapë do të kemi një vakuum”, tha Mustafa, në Info Magazine të Klan Kosovës.

Ai ka thënë se kësaj Qeverie i duhet akoma kohë të tregojë veten.

“Qeveria funksionon normalisht dhe një pjesë e deputetëve mungon, por do të thoja që të mos fajësohen deputetët. E ftoj KDI-në që t’i bëjë transparente të gjitha ato se kush po e bllokon Kuvendin”.
Duke folur për mosratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, Mustafa ka thënë se fajtorë janë deputetët që nuk e votojnë.

“Qeveria e ka aprovuar Demarkacionin dhe nuk është fajtor Qeveria por ata deputetë që nuk e votojnë. Kryeministri është dashur të mbështetet më shumë në këtë punë edhe ministrant e LDK-së dhe PDK-së do të mund të ishin më prezent në opinion, ka qenë i ekspozuar kryeministri i cili ka prezantuar bazën ligjore dhe praktike”.

Mustafa ka thënë se ai do ta votojë Demarkacionin kurdo që ai sillet në Kuvend.

“Unë do ta votojë Demarkacionin me këto informacione që i kam. Nëse ma argumentojnë që Kadastri është gabim atëherë unë e ndërroj mendimin. Unë i kam ftuar që të na tregojnë se pse Kadastri është gabim. Kadastri është kriter që është marrë prej Sllovenisë dhe Kroacisë”.

Ai ka thënë se beson se së shpejti Demarkacioni do të futet shumë shpejt në rend të ditës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme