Mustafa: Nuk lejojmë të shkatërrohet Kosova, nga një grup që po i frikësohet Speciales

Prishtinë | 22 Dhj 2017 | 23:01 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk do të lejojnë që të shkatërrohet shteti i Kosovës nga një grup njerëzish që po i frikësohen Gjykatës Speciale.

“Me nënshkrimet e 43 deputetëve kanë kërkuar të shfuqizohet ligji për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin Special. Por, për dy herë radhazi dështoi mbledhja e Kryesisë së Kuvendit që të procedohet projektligji që mundëson ndryshimin e këtyre ligjeve. Mungesa e përfaqësuesve të LDK-së, VV-së dhe Listës Serbe pamundësuan që të mbahet mbledhja e thirrur në orët e vona të së premtes”.

“Pas kësaj, reagimi i ambasadorëve ishte i menjëhershëm, duke thënë se Kosova po rrezikon të kthehet në kohën e Rezolutës 1244 e duke e konsideruar natën e sontme si më të rrezikshmen pas luftës”, tha Mustafa, raporton Ekonomia Online.

“Ne si LDK e përkrahim qëndrimin e Grupit tonë parlamentar. Ne do të jemi në koordinim edhe me grupet e tjera parlamentare”, tha kreu i LDK-së, në një konferencë për medie.

“Ne e kemi sjellë Ligjin në Kuvendin e Kosovës të vetëdijshëm që Kosova duhet të ballafaqohet dhe ta pastrojë të kaluarën. Të gjithë ne kemi llogaritur se drejtësia është në anën e Kosovës dhe në anën e njerëzve të saj, dhe sot nuk ka asnjë arsye që të suprimohet ajo që është arritur më parë”.

“Të gjitha vendimet i kemi marrë në koordinim të plotë me miqtë tanë, SHBA-në dhe BE-në dhe si LDK do të vazhdojmë ta ruajmë këtë miqësi. LDK-ja nuk do ta përkrahë këtë iniciativë dhe në asnjë rast nuk do të lejojë që të rrezikohet shtetësia e Kosovës dhe të kthehet Rezoluta 1244”.

“Për ne është çështje e përfunduar, sepse konsiderojmë se nuk ka asnjë arsye që të vazhdohet tutje. Ne i besojmë njerëzve tanë, i besojmë SHBA-së. Si LDK e përkrahim qëndrimin e grupit tonë parlamentar dhe do të provojmë që të bashkëpunojmë me partitë tjera, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë në pushtet që të mos rrezikojmë shtetin e Kosovës”, tha Mustafa.

Të ngjashme