Mustafa: Nuk ulemi me VV-në pa sqaruar dosjet dhe “tradhtinë”

Prishtinë | 15 Gus 2017 | 20:01 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka hedhur poshtë mundësinë e arritjes së ndonjë koalicioni me Vetëvendosjen, nëse kjo parti nuk i sqaron akuzat për “tradhëti” dhe dosjet e dërguara kundër tij në Prokurori.

Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Mustafa tha se me Vetëvendosjen duhet t’i sqarojnë disa çështje para se të shikojnë mundësitë e lidhjes së koalicioneve.

Ai rikujtoi se Vetëvendosje e kishte akuzuar për tradhti për lidhjen e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Nëse dikujt i themi tradhtar atëherë pa u sqaruar nuk do te mund të ulemi në tavolinë”, tha Mustafa, raporton Ekonomia Online.

Tjetër “çështje” që kërkon sqarim janë dhjetëra dosje që VV i ka dërguar në prokurori për Isa Mustafën në lidhje me qeverisjen e tij në Prishtinë.

“Ata duhet t’i sqarojnë pozicionet e tyre si parti. Në qoftë se dikush ka dërguar 72 lëndë në prokurori për mua atëherë ata duhet të deklarohen a janë të vërteta apo vetëm kanë bërë propagandë. Mua asnjëherë s’më ka thirr Prokuroria. Atëherë si të bëjmë koalicion me një parti kur nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me demarkacionin, shndërrimin e FSK-së në ushtri, ekonominë”, është shprehur Mustafa.

Nga ana tjetër, Mustafa tha se po presin që PAN-i t’i konsumojë procedurat për të prezantuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Do të presim që koalicioni PAN të zhvillojë procedurat, që ta prezantojë kandidatin. Nuk ka arsye të bllokohet vendi”, tha Mustafa, duke përsëritur qëndrimin se LDK nuk do ta votojë Kadri Veselin.

Ai tha se presin propozime të tjera. “Dhe varësisht prej propozimeve ne do të votojmë”.

Ndërsa, ka saktësuar se LDK-ja dhe partnerët e saj do të shkojnë në takimin e nesërm konsultativ, të thirrur nga kryesuesi i përkohshëm i Kuvendit, Adem Mikullovci.

“Ne do të shkojmë në konsultime dhe do të duhet çdokush ta bëjë”.

Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta bojkotojë takimin e thirru nga deputeti i tyre më i moshuar.

Të ngjashme