Mustafa: Osmani akoma vepron si me qenë në Vetëvendosje

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka komentuar veprimet e presidentes Vjosa Osmani, të cilën e kritikoi për veprimet të njëanshme dhe madje jo të ligjshme.

Ai tha se Osmani edhe në krye të Presidencës po vazhdon të veprojë sikur të ishte pjesë e Vetëvendosjes.

“S’ka qenë unifikuese kur ka marrë vendim për kryetaren e KQZ-së, sepse nuk merren vendimet e tilla. Shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit dhe Kushtetutës, sepse s’ka pasë të drejtë të marrë këtë vendim. S’e kam parë që ka qenë unifikuese edhe në kontaktet me grupet parlamentare dhe me partitë politike. Ajo akoma vepron si me qenë pjesë e Vetëvendosjes dhe një presidente e tillë nuk i nevojitet vendit. Mendoj se duhet ta ndërrojë këtë qëndrim dhe të kalojë në një qëndrim neutral n mënyrë që secili ta shohë veten se ka përkujdesjen dhe sigurinë e presidentes së vendit. Nëse punon në një kanal presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari atëherë është rrezik për vendin sepse s’ka kush i amortizon disa vendime që për qytetarët, të cilat për subjektet politike mund të mos jenë të volitshme”, tha Mustafa për Klan Kosova.

Mustafa tha se në asnjë rast nuk e konsideron fajtore Osmanin për fatin e tij në parti.

“E konsideroj të rëndësishëm opinionin publik që është krijuar dhe i konsideroj mjaft ndikues edhe mediat, sepse në zgjedhjet e kaluara ka pasë një mobilizim të hatashëm të mediave kundër të tjerëve dhe për Vetëvendosjen dhe u krijua një klimë, të cilës kur krijohet është shumë e vështirë të punohet kundër saj”.

Megjithatë, Osmanit i lë një pjesë të meritës për rritjen e LDK-së.

“Vjosa ka qenë kandidate e jonë për kryeministre dhe ne pa Vjosën si LDK i kemi pasë diku 185 mijë vota. Me Vjosën kemi arritur ta kapërcejmë këtë dhe të shkojmë në 205-206 mijë dhe këtë margjinë e konsideroj më shumë si kontribut të saj. Ka pasë më shumë gra dhe të rinj që e kanë votuar dhe e kam vlerësuar këtë si kontribut të veçantë”.

Mustafa tha se me Osmanin nuk ka kontakte që kur ajo ka kaluar në Kuvend derisa për përjashtimin e saj nga LDK-ja tha se ishte i detyruar të ndërmerrte masat meqë “ai që mban pozitë drejtuese në LDK nuk mund të shprehet dhe veprojë kundër vendimeve të LDK-së”, tha ai.

Të ngjashme