Mustafa paralajmëron rrëzimin e Qeverisë Kurti: LDK-ja do të iniciojë mocion mosbesimi në Kuvend

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 19:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të iniciojë mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti, ku është dhe vetë pjesë e kolaicionit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, të mërkurën mbrëma, e thirrur pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se partneri i koalicionit, VV-ja, ka shkelur në disa pika marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Mustafa tha se Kurti nuk respektoi marrëveshjen e koalicionit duke mos u konsultuar fare me kryetarin e partisë në koalicion për ta shkarkuar një ministër të saj.

“Sot është shkarkuar një ministër i LDK-së, në kundërshtim me marrëveshjen për koalicion. Nëse kryeministri ka vërejtje për ministrat e LDK-së duhet të konsultohet me kryetarin e LDK-së fillimisht, e nuk ka ndodhur të konsultohet me mua”, tha Mustafa, raporton Ekonomia Online.

Ndërkohë, në fillim të konferencës, Mustafa ka folur për mospajtimet në koalicion rreth taksës ndaj mallrave të Serbisë, për çka LDK-ja insiston që të hiqet plotësisht dhe pa kushte, siç po kërkon SHBA-ja.

“Patëm mbledhjen e Kryesisë. Trajtuam situatën aktuale në vendin tonë shkaktuar nga rrezikimi i prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në si rezultat i mosheqjes së tarifës edhe pse kërkuan pareshtur si aleati yni dhe problemin që sot ka lindur me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje të ministrit Veliu. Sot në mbledhje e diskutuam dhe kemi vendosur që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për të rrëzuar Qeverinë Kurti”, është shprehur Mustafa.

Gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti shkarkoi nga pozita e ministrit Agim Veliun, me arsyetimin se gjatë një interviste të mbrëmshme ka shpërndarë panik në kohën kur vendi po përballet me Coronavirusin.

LDK-ja dhe Vetëvendosje kanë vetëm një muaj e gjysmë që janë në koalicion.

Mustafa: Thaçi më ka telefonuar, por s’kemi pasur dakordim rreth këtij mocioni

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti mund t’i bashkohen të gjitha partitë. Ai ka siguruar se nuk ka pasur ndonjë marrëveshje paraprake me presidentin Hashim Thaçi rreth këtij mocioni që pritet të qitet në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Nuk kemi biseduar me asnjë parti politike dhe mbetet me pa pastaj të shohim partitë e tjera që mund të bashkohen rreth këtij mocioni. Pra kjo është bindje e LDK-së. Unë ju garantoj se nuk kemi pasur dakordim me presidentin Thaçi rreth këtij mocioni, por më ka telefonuar se kinse unë e kam kritikuar që nuk po reagon”.

“Unë thjesht kam thënë se duhet institucionet të marrin masa rreth kësaj situate më këtë virus”, tha ai.

Mustafa ka thënë se në këtë kohë nuk mund të shkohet në zgjedhje, por ka lënë të në kuptohet se ekziston mundësia që të shikohet partner tjetër për koalicion.

“Ne nuk shohim të arsyeshme që në të shkojmë në zgjedhje në këtë kohë, por që nuk lejoj që Kurti të shkarkojë ministra të LDK-së sa herë që t’i teket atij”, ka thënë ai.

Të ngjashme