Mustafa paralajmëron VV-në: Edhe një takim për arritjen e marrëveshjes, s’pranojmë më shumë ministri

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 15:07 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa thotë se nuk mund të takohet me kreun e VV-së, Albin Kurti, dhe të dalin para gazetarëve si “memec”, raporton Ekonomia Online.

Mustafa shtoi se takimi i radhës do të jetë vendimtar lidhur me marrëveshjen apo për të definuar nëse s’do të bëhet koalicioni.

“Takimi i ardhshëm mund të bëhet vetëm për t’u arritur te marrëveshja dhe jo vetëm sa për tu ulur për të konstatuar se nuk arritëm asgjë. Prandaj këtë e kemi konstatuar që takimi ynë i ardhshëm të jetë takim i bërjes së marrëveshjes ose jo”, ka thënë Mustafa.

Mustafa u shpreh se LDK-së i takojnë kryeparlamentari, 5 ministri dhe zotimi për postin e presidentit. Madje sipas tij, partia që udhëheq nuk do të pranojë shtimin e numrit të ministrive.

“Në asnjë rast ne si LDK nuk kemi kërkuar shtim të ministrive, këmbim të ministrive por kemi kërkuar marrëveshje partneriteti. Prandaj, si të tillë nuk e diskutojmë një pozizicionim të tillë të VV-së por i trajtojmë qëndrimet tona, se a mbetet LDK edhe më tutje pranë qëndrimit që ta ketë kryeparlamentarin dhe ta ketë zotimin për presidentin e vendit dhe të ketë 5 ministri”.

Kur foli për ofertën e fundit të VV-së, ai tha se atë nuk do ta diskutojnë në Këshillin e Përgjithshëm ngase mbrojnë parimet e tyre si parti.

“Qëndrimi i Këshillit të Përgjithshëm ka qenë ky se ne duhet t’i kemi këto pozita dhe çdo ndryshim nuk mund të bëhet pa verifikimin e organeve tona”.

“Ne me të gjitha bisedat që i kemi pas, pra deri të ënjtën e kaluar dhe jemi munduar që të harmonizohemi mes vete dhe prandaj kanë zgjat bisedimet. Pra unë nuk shoh më që ulemi të bisedojmë tri orë dhe të dalim memec e mos të kemi se çfarë ju themi juve dhe qytetarëve”.

“Prandaj ne çdo gjë e kemi trajtuar paraprakisht në mënyrë që takimi jonë i ardhshëm të jetë takim përfundimtar ose takim i konstatimit se s’mund të bëjmë marrëveshje. Unë e shoh që të bëjmë  marrëveshje por marrëveshje partneritetit, të bashkëpunimit reciprok dhe e cila do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës, sepse për mua është e papranueshme që të ngadalësohemi”.

“Pra ne do të bëjmë përpjekje që ky takim të jetë i fundit dhe në atë takim të arrihet marrëveshje sepse unë mendoj se çdo gjë që kemi pasur t’i themi njëra palë tjetrës, prandaj sa zgjat nuk e di”, ka thënë Mustafa.

Mustafa, ka folur edhe rreth përplasjes së fundit ndërmjet dy nënkryetarëve, Agim Veliut dhe Vjosa Osmanit.

Ai tha se LDK-ja është një parti shumë e madhe dhe se secili ka të drejtë të shpreh mendimet e tij.

“Ne kemi një parti të madhe, shume të madhe, në të cilën njerëzit kanë të drejtën ta thonë mendimin e tyre. Por ajo që mund të themi është që ne nuk e kemi trajtuar në organet tona letrën e LVV-së dhe se ajo letër nuk do të trajtohet, por do të trajtohen vetëm parimet tona të marrëveshjes, dhe mbi këto parime, ose vazhdojmë ose s’vazhdojmë ta bëjmë marrëveshjen”.

Agim Veliu dhe Vjosa Osmani dje janë përplasur në distancë rreth ofertës së VV-së.

Derisa Veliu e cilësonte si një ofertë joserioze, Osmani në anën tjetër thoshte se çfarëdo përpjekje për afrimin e palëve duhet të konsiderohet si serioze dhe të diskutohet në organe te LDK-së.

Lexo më shumë:

Të ngjashme