Mustafa për zgjedhjet serbe të 3 prillit: Është radha që të marrin vendim ata, që kanë folur fjalë të mëdha

Prishtinë | 19 Mar 2022 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se për zgjedhjet e Serbisë të 3 prillit, Qeveria e Kosovës duhet të vendos karshi të drejtave kushtetuese të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe jo karshi kërkesave të Serbisë. Në një përgjigje për Gazetën Express, ish-kreu i LDK-së ka theksuar se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, me shtetësi serbe, kanë të drejtë vote, derisa shton se për atë se ku dhe si votojnë duhet të mendojë Qeveria e Kosovës. Ai thotë se zgjidhja duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Derisa flet për këtë çështje, Mustafa kujton qëndrimet dhe vlerësimet e “rënda” që sipas tij, Qeveria aktuale dhe Presidenca kanë dhënë kur është lejuar mbajtja e zgjedhjeve në të kaluarën përmes OSBE-së.

Mustafa thotë se tashmë Qeveria është duke u përballur me kërkesa nga ndërkombëtarët për të gjetur një zgjidhje.

“Kjo Qeveri dhe Presidentja kanë dhënë vlerësime të rënda për votimet që janë lejuar në periudhat e kaluara, përmes OSBE-së. Kosova duhet të vendosë karshi të drejtave kushtetuese të qytetarëve të saj serb dhe jo karshi kërkesave të Serbisë. Qytetarët serb të Kosovës, të cilët kanë edhe shtetësi të Serbisë, kanë të drejtë të votojnë. Se ku dhe si do të votojnë, do duhej të mendojë Qeveria, e cila po përballet me kërkesa nga SHBA dhe BE për të gjetur zgjidhje. Gjithsesi që çdo zgjidhje duhet të jetë në frymën e Kushtetutës. Ne kemi dëgjuar interpretime profesionale të Kushtetutës nga njerëz që janë kompetent prandaj mendoj se gjerat janë të qarta”, deklaroi Mustafa për Express.

Ai thotë se tashmë radhën për vendim e kanë ata që kanë folur fjalë të mëdha.

Mustafa beson se edhe delegacioni i Shtëpisë së Bardhë që zhvilloi dje takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti kanë përmendur edhe çështjen e zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi, pasi sipas Mustafës delegacioni nuk kishte ardhur këtu vetëm për prononcime.

“Tani radhën për vendime e kanë ata që po flasin fjalë të mëdha, të cilët duhet të mendojnë, sa për fjalët dhe akuzat e tyre aq edhe për stabilitetin e Kosovës. Ndoshta ua ka bërë të qartë edhe delegacioni i Shtëpisë së Bardhë që ishte dje në vizitë në Presidencë dhe në Qeveri, sepse dyshoj që ata kanë ardhë në Kosovë për prononcime të institucioneve tona se e duan Amerikën, pa thënë asgjë tjetër”, ka theksuar Mustafa.

Të ngjashme