Mustafa: Përkundër sukseseve evidente, Kosova po përballet me sfida

Prishtinë | 31 Dhj 2016 | 14:44 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, iu është drejtuar qytetarëve përmes një video-mesazhi, me rastin e Vitit të Ri.

Mustata thotë se Kosova po e përmbyllë një vit të rëndësishëm, por vendi po përballet edhe me shumë sfida.

“Besoj shumë se në vitin 2017 do të kemi suksese, do të jetë vit i lëvizjes së lirë, vit i punës dhe i zhvillimit”, thotë kreu i Qeverisë.

Mesazhi i kryeministrit Isa Mustafa, me rastin e Vitit të Ri 2017

Të dashur qytetarë,

Po e përmbyllim një vit të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

Së bashku e forcuam shtetin tonë, e rritëm ekonominë, e ulëm papunësinë, u anëtarësuam në UEFA dhe në FIFA, miratuam Ligjin për Trepçën, morëm Kodin Telefonik, krijuam kushte për hapjen e fabrikave, avancuam raportet me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian, miratuam një buxhet rekord mbi 2 miliardë euro e shumë të arritura tjera.

Andaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju shpreh mirënjohje për kontributin tuaj për shtetin, gjatë vitit 2016.

Të dashur motra dhe vëllezër,

Përkundër sukseseve evidente, Republika e Kosovës po përballet me sfida.

Po punojmë pa pushim për lëvizje të lirë, për më shumë vende të punës, për arsim dhe shëndetësi më të mirë dhe për forcim të sundimit të ligjit.

Viti 2017 është një mundësi e hapur për ne, që së bashku, t’i përkushtohemi edhe më shumë zhvillimit të vendit.

Është koha t’i lemë anash kundërshtimet dhe t’i kryejmë punët që i kemi në dorën tonë.

Të nderuar qytetarë,

Këtë vit, Majlinda Kelmendi fitoi Medaljen Olimpike në Brazil, duke na e zbardhur fytyrën para botës.

Po ashtu, Nëna Terezë, u shenjtërua për veprat e saj madhështore në shërbim të njerëzimit.

Kosova është ende kampione e optimizmit duke pas në vete potenciale të mëdha vullneti, pune e kreativiteti.

Besoj shumë se në vitin 2017 do të kemi suksese, do të jetë vit i lëvizjes së lirë, vit i punës dhe i zhvillimit.

Andaj, të punojmë me përkushtim dhe dashuri për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për shtetin tonë.

Urime nga zemra Vitin e Ri 2017!
Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!

Të ngjashme