Mustafa: Presidentit Thaçi i ka humbur busulla, duhet shkarkuar menjëherë

Prishtinë | 01 Qer 2019 | 08:16 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar idenë e  presidentit Hashim Thaçi për bashkimin me Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës.

Ish – kryeministri Mustafa, në një intervistë dhënë për Agjencinë e Lajmeve EkonomiaOnline, këtë ide të presidentit e ka quajtur të pa pranueshme.

Madje Mustafa ka thënë se “presidentit Thaçi tashmë i ka humbur busulla”,  dhe se po bën veprime të papërgjegjshme dhe kundërkushtetuese.

“Më e keqja është se presidenti i vendit e ka humbur totalisht busullën. Ai ma nuk ka busull për Kosovën dhe tani më nuk ka veprime të përgjegjshme për Kosovës. Detyrë e presidentit të vendit është të mbrojë kushtetutën e vendit. Kur e mbron Kushtetutën e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi. Ne kemi një president që një ditë zgjohet dhe thotë se do të korrigjojmë kufij duke marr Luginën e Preshevës dhe tani thotë e marrim Luginën e s’japim asgjë. Në këtë formë e nënçmon dhe denigron edhe qytetarin e Kosovës, sepse çdo njeri e din se s’mund të ia marrësh një pjesë e cila është në territorin e Serbisë  pa i dhënë më shumë se që merr”, thotë ai.

Lideri i LDK-së, thotë se presidenti Thaçi u zmbraps nga ideja për shkëmbim territoresh, pasi nuk u përkrah nga askush në Kosovë dhe jashtë saj.

Thotë se Kosovës nuk i duhet një President që e shkel Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa bashkimi mes dy shteteve amë do të ndodh vetëm atëherë kur të anëtarësohen në BE.

“Kur e sheh që s’mund ta bëjë atë sepse e ka krejt Kosovën kundër dhe ne jemi kundër si LDK dhe kurrë s’do të pajtohem me të, tash qohet me një variant ose propozim dhe alternativë tjetër se duhet bërë bashkimi kombëtar më Shqipërisë. Vërtet e kam parë se në fillim hajde të bëjmë këmbime territoriale, të mbesim një lloj krahine dhe tani i bashkohemi Shqipërisë. Dhe ne nuk guxojmë ta kemi një president i cili e shkel shtetësinë  e Kosovës. E shkel Deklaratën e Pavarësisë. Kur të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian atëherë ne do të jemi bashkë me Shqipërinë në BE dhe s’do të kemi kufij me Shqipërinë”, thotë Mustafa.

Ish-kryeministri Mustafa, që dikur e kishte partner të koalicionit presidentin Thaçi, thotë se tashmë ky i fundit po e vë në pyetje shtetësinë e vendit.

Thotë se të gjithë duhet të angazhohen që të fuqizojnë shtetësinë me kufijtë aktual, derisa vlerëson se procesi i përmbylljes së pavarësisë ende nuk ka mbaruar.

“Unë i shohë si veprime të papjekura të Presidentit, veprime të cilat janë të dëmshme sepse presidenti po e vë në pikëpyetje shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Ne e kemi shpall pavarësinë që të jemi shtet i pavarur, jo të jemi shtet si pjesë e një shteti tjetër, ose krahinë. Idealët për bashkim kombëtar i arrijmë kur ta përmbyllim gjithë këtë proces i cili akoma është i pa përmbyllur pikëpamje të njohjes së Kosovës nga shumë vende, të anëtarësimit në OKB dhe në pikëpamje të përmbylljes së tërësishme të shtetësisë sonë. Duhet të kemi njohje nga 5 vendet e BE-së. në këtë situatë kur presidenti i vendit thotë se do të bashkohemi me Shqipërinë çka presim ne se do të na njohë një vend tjetër ose se ne do të jemi palë serioze në BE. Ne kemi kryeministrin tonë, institucionet tona, ne ato duhet ti respektojmë dhe ne duhet të luftojmë që kosovarizmin apo shtetin e Kosovës ta kemi si ideal tonë”, pohon ai.

Ish- kryeministri Mustafa,  edhe pse dikur lobonte për votimin e Thaçit si president të vendit, tashmë thotë se janë të gatshëm të ngrenë një mocion mosbesimi për shkarkimin e tij, raporton EO.

“Unë mendoj se Presidenti me këto sjellje meriton mocionin e mosbesimit ose shkarkimit qysh sot. sepse ne nuk mund ta kemi një president i cili sillet kështu. sjellja e tij është e papranueshme. prandaj këtu s’kemi nevojë me prit për me ardh në Qeveri. Por kemi nevojë për një masë kritike, ta kemi një arsyetim kushtetues dhe kjo duhet të jetë çështje që edhe ne si opozitë por edhe pozita ta llogarisë, sepse e shoh se as në pozitë nuk ka vullnet që ne tash duhet të luajmë me shtetin, ose ti ndërrojmë kufijtë, ose të bashkohemi me Shqipërinë. Unë skam parë asnjë vullnet te partitë që janë në pushtet”, ka përfunduar Mustafa.

Të ngjashme