Mustafa pret përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për Vjosa Osmanin

Prishtinë | 27 Gus 2019 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, për mes një postimi në Facebook ka thënë se sot vendoset që Vjosa Osmani të jetë kandidate e LDK-së për kryeministre të Kosovës.

Mustafa ka thënë se Osmani nuk ishte e vetmja kandidate për këtë pozitë, por ajo e mposhti kandidatin tjetër, Lutfi Hazirin.

Ai tha se sot pret përkrahjen për Osmanin nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Postimi i Mustafës i plotë:

Vendosim sot, që znj. Vjosa Osani të jetë kandidate e LDK-së për Kryeministre të Kosovës. Dje, ajo mori përkrahjen e plotë të Kryesisë së LDK-së.

Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për tu përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze.

Vjosa nuk ishte e vetmja kandidate e LDK-së për këtë pozitë. Ishte, po ashtu, z. Lutfi Haziri, tani Kryetar i Gjilanit. Më herët zëvendëskryeministër e deputet. Z. Haziri me shembullin e një veprimtari të devotshëm të LDK-së, një lideri me të cilin krenohemi jo vetëm ne në LDK, kësaj radhe i dha përkrahje të parezervë Vjosës.

Përkrahjen e sigurt e pres sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. E nesër, nga qytetarët e Kosovës.

Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare. IM

Të ngjashme