Mustafa: Pushteti më kot përpiqet që fajin për vonesën e liberalizimit t’ia hedhë opozitës

Prishtinë | 04 Tet 2018 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se ekziston rreziku se në Parlamentin Evropian disa shtete të veçanta mund të hezitojnë në përkrahjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo për shkak se pushteti i tanishëm në vitin 2016 kishte kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi i cili kishte qenë kusht për liberalizimin e vizave dhe në ketë mënyrë atëherë u humb shansi të përmbyllej procesi i liberalizimit.

Postimi i plotë i Isa Mustafës:

Kur në vitin 2016 kërkonim të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave por edhe si instrument i sovranitetit shtetëror, këta që sot janë në pushtet e kundërshtonin dhe propagandonin rrejshëm se po humbim mbi 8000 hektar tokë. Me mashtrime dhe me politika populliste, atëherë humbëm shansin ta përmbyllim procesin e liberalizimit. Tani , në prag të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe primitivizmit tonë. Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE, epilogu i të cilave është vështirë të dihet.

Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020, dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita, e dinë mirë se ku është problemi, por iu nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten. Pavarësisht nga kjo, Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave sa më shpejtë; të garantojmë se ky vend do të qeveriset mirë e pa korrupsion, se do ta zhvillojmë ekonominë e të hapim vende pune. Të mos ndjellim frikë se të rinjtë tanë do ta braktisin Kosovën e do ta marrin botën në sy.

Të ngjashme