Mustafa: Rezultati i Exit Pollit i porositur

Prishtinë | 11 Qer 2017 | 20:02 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë të dielën se Exit Poll i prezantuar nga televizioni Klan Kosova është i porositur nga koalicioni i territ dhe është përpiluar para dy javësh.

“Rezultati që është prezantuar sonte është dhënë nga Klani para dy javësh, tani vetëm është paketuar ndryshe. Kjo është një përpjekje për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve. Ne konsiderojmë se kutitë e votimit janë Exit Poll i vetëm dhe rezultati i vetëm i këtyre zgjedhjeve. Qëllimi i këtij Exit Poll është që të prejudikojë rezultatin dhe t’i prezantohet si i vërtetë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se LDK fton të gjithë komisionerët, vëzhguesit dhe menaxherët e qendrave të votimit që të numërojnë çdo votë, sepse aty është vullneti i sovranit në favor të LDK-së dhe partnerëve të saj.

“LDK fton edhe mediat që të mos bien pre e politikës ditore për të dëmtuar një proces zgjedhor fer dhe transparent. Vullneti i qytetarëve nuk mund të ndryshohet nga organizata, e cila ka histori të njëanshmërisë politike dhe Exit Poll-et e tyre në shumicën e rasteve kanë qenë të gabuara”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Madje edhe vet përfaqësuesi i kësaj organizate publikisht e pranoi se rezultatet mund të jenë të gabuara dhe jemi të bindur se ashtu do të dalë në fund, kur të numërohen votat.

“Lidhja Demokratike dhe partnerët e saj janë duke e pritur me qetësi rezultatin zgjedhor i cili pa asnjë dyshim do të nxjerrë fitues koalicionin e djathtë. LDK e kundërshton Exit Poll-in e porositur dhe të prezantuar në Klan Kosova dhe ju bën thirrje qytetarëve që të rrinë të qetë sepse rezultatet e zgjedhjeve ndodhen në kutitë e votimit”, ka thënë në fund kryetari LDK-së.

Të ngjashme