Mustafa sheh skenar të krizës në Greqi nga grevat e Kosovës

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar në lidhje me grevat që janë duke u mbajtur në vend, duke thënë se Qeveria është fajtore për to.

Ai po ashtu tha se është dëm i madh kur fëmijët fillojnë të mësohen të humbin orët mësimore, por edhe pacientët të durojnë sëmundëjet e tyre.

“Konsideroj se duhet të gjendet zgjidhje e menjëhershme mbi bazë parimore. Të sigurohet që pagat të jenë të njëjta për punë të njëjta dhe pagat të jenë në harmoni me kapacitetin buxhetor. Qeveria ka bërë veprime, përmes së cilave ka hapur dyert që të gjithë të kërkojnë rritje të pagave. Nga njerëzit e këtij kabineti qeveritar jam kritikuar unë dhe qeveria ime se kemi lënë shumë borxhe për paga e mëditje, të cilat pastaj me vendimet guximshme i ka kryer kjo qeveri. Diçka nga kjo është e vërtetë”, tha Mustafa përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.

Ai tha se deri sa ishte ai në krye të Qeverisë kishte punuar me paga më të ulëta se sa të gjithë, duke shtuar së grevat e tilla do të sjellin krizë financiare si në Greqi.

“Qeveria ime i mbeti borxh para së gjithash vetvetes. Sepse vazhduam të punojmë me dyfish paga më të ulëta sesa tjerët. Por u angazhuam të ndërtojmë rregulla që pagat të mos caktohen me fushatë parazgjedhore dhe me vendime ad-hoc por me Ligj. Që rritja e pagave të shkojë proporcionalisht me rritjen ekonomike dhe që të përcaktohet sistemi i pagave të njëjta për punë të njëjta. Ndryshe përfundojmë me krizë financiare si Greqia e para disa viteve, por me dallim se Greqia shfrytëzoi fondet e BE-së, si anëtare, e ne falimentojmë lehtë, sepse nuk jemi anëtare e BE-së”, ka shkruar Mustafa.

Ish-kryeministri tha se duhet gjetur një zgjidhje sa më shpejtë për situatën e grevës dhe Qeveria të koordinohet me FMN-në.

“Prandaj, pa marrë parasysh edhe sa ditë apo muaj i ka kjo qeveri, të gjithë duhet të sillen racionalist sa i përket arkës së shtetit por edhe kërkesave për rritje të pagave. Të punohet me FMN-në për kriteret, të bëhen analiza krahasuese me vendet në regjion dhe sistemi i pagave të përcaktohet me parime. Është dëm të pësojnë fëmijët, studentët, pacientët dhe qytetarët nga premtimet dhe mashtrimet gjatë fushatës dhe nga vendimet e pamatura!”, ka shtuar Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme