Mustafa sqaron heqjen e vijave të kuqe ndaj partive të tjera

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 20:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur rreth heqjes së vijave të kuqe ndaj subjekteve të tjera politike, duke thënë se një gjë e tillë duhet të ndodhë pasi që asnjë nga partitë e vendit nuk po mund të marrin votat e mjaftueshme për qeverisje.

Mustafa ka theksuar se nuk ka përmendur asnjë subjekt politike ndaj të cilit LDK do të heqë vijat e kuqe.

“Duhet të hiqen vijat e kuqe ndërmjet subjekteve politike, pasi asnjëra prej subjektet politike nuk kanë votat e mjaftueshme. Ne domosdo duhet ta respektojmë votën e qytetarëve të Kosovës për një subjekt politik. Ka pasur mjaft komente se LDK i ka hequr vijat e kuqe me PDK-në. Unë nuk e kam përmendur asnjë parti në mënyrë të veçantë, por kam thënë se duhet të hiqen vijat e kuqe. Rrethanat tani po sillen se secili prej nesh duhet të jenë të hapur me subjektet tjera politike që të mos bëjmë gara ndërmjet vete, sepse Kosova është përgjegjësi e të gjithë neve dhe jo vetëm e një subjekti politik”, është shprehur Mustafa në intervistë për RTK.

I pari i LDK-së ka folur edhe pluralizimit politik për 20 vjetët e fundit. Ai e ka quajtur dobësi të gjithë këtij procesi mos përmbajtjen e zotimeve të palëve me rastin e koalicioneve.

“Kjo ka ndodhur edhe në koalicionin e fundit me PDK-në, pasi në marrëveshjen e shkruar e kemi pasur se nuk do të ketë mocion ndaj njëra-tjetër, por kjo ndodhi dhe LDK-ja humbi besimin për një bashkëpunim të mëtejshëm me PDK-në. VV është më ndryshe, sepse ne e kemi paralajmëruar më herët, se nëse do të shkohet në rrezikimin e raporteve me SHBA, do ta kemi të vështirë ta mbajmë koalicionin, por ndodhi që Vetëvendosje shkarkoi ministrin tonë (Agim Veliu). Nëse kjo do të ndodhet në Gjermani, edhe atje do të prishej koalicioni”, tha Mustafa.

Sipas tij, prishja e koalicionit LDK-PDK ka ndikuar edhe në liberalizimin e vizave, pasi që sipas tij për shkak të zvarritjes së çështjes së demarkacionit me Malin e Zi tash vendi ka hyrë ‘në një cikël ku e kemi të vështirë t’i bindim ndërkombëtarët për liberalizimin e vizave’.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme