Mustafa thotë se logjika e Bulliqit për Demarkacionin ishte primitive

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Ish kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur mbi çështjen e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi dhe vizitën e ish nënpresidentit të SHBA-ve, Joe Biden në Kosovë gjatë vitit 2016.

Mustafa, tha se presidenti i tanishëm, Joe Biden, i ka thënë se në atë vizitë nuk ishte si nënpresident, por si president i SHBA-ve, dhe se ratifikimi i vijës kufitare me Malin e Zi është i drejtë.

“Mua Biden më ka thënë se “unë nuk jam nënpresident këtu në Kosovë, por flas si president i SHBA-ve, sepse aty ku nuk është Obama, jam unë dhe unë flas me krejt autoritetin e presidentit të Amerikës. Dhe unë, me këtë autoritet them se marrëveshja për ratifikimin e vijës kufitare me Malin e Zi është e drejtë sepse në bazë të specialistëve nuk është humbur asnjë metër katror e territorit, dhe ju duhet të bëni përpjekje maksimale që ta ratifikoni marrëveshjen, sepse ajo ndërlidhet edhe me pranimin e Malit të Zi në NATO dhe ne nuk dëshirojmë që të kemi një anëtar të NATO-s i cili nuk i ka zgjidhur problemet kufitare me vendet tjera””, është shprehur Mustafa, njofton Klankosova.tv.

Por, Mustafa tha se logjika e Shpejtim Bulliqit mbi raportin për vijën kufitare me Malin e Zi ka qenë logjikë primitive.

“Nëse ne do ta përfundonim atë dhe nuk do ta vlerësonim më shumë mendimin e Shpejtim Bulliqit e të dikujt tjetër se sa të Joe Biden, ne këtë punë do ta kishim të kryer. Mirëpo kur ke logjikë primitive edhe brenda partisë tënde edhe të subjektet e tjera, pastaj e humb edhe racionalitetin politik”, është shprehur Musatafa

Të ngjashme