Mustafa tregon se a e ka refuzuar pjesëmarrjen në Konvetën e LDK’së

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Isa Mustafa ka mohuar refuzimin e pjesëmarrjes në Konventën Programore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Mungesa e ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në konventë, ndërlidhet me një gabim teknik në dërgimin e ftesës nga LDK-ja përmes adresës elektronike.

Mustafa ka deklaruar se e ka telefonuar Lumir Abidxhikun, pasardhësin e tij në lidershipin e LDK-së, për të sqaruar situatën rreth ftesës për ngjarjen partiake.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin, ish-udhëheqësi i LDK-së në dekadën e kaluar ka thënë se mos prania e tij në Konventën Programore nuk paraqet qëndrim të tij mbi rolin e LDK-së, të cilin ai tha se e vlerëson.

“Nuk e kam refuzuar ftesën, sepse e vlerësoj LDK-në dhe rolin e saj. Pas e lexova këtë deklaratë, kontaktova me z. Abdixhiku dhe e vërtetova se ftesën ma kanë përcjellë por se nuk e kam marrë”, u shpreh Mustafa. “Në fakt kishte mbetur në Junk Email. Është një lëshim i administratës së LDK-së.”

Mustafa tha se nuk i ka munguar gatishmëria për të marrë pjesë në konventë.

“Ndryshe do të merrja pjesë”, tha ish-udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Paparaci.

Përveç Isa Mustafës, në konventë mungoi edhe ish-lideri i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Mungesat e tyre i komentoi sot në një paraqitje para mediave funksionari i lartë i LDK-së, Arben Gashi. Ai konfirmoi ftesat e dërguara në adresë të dy ish-liderëve.

“Zotëri Mustafa dhe Sejdiu janë njerëz të nderuar të LDK-së dhe kanë pasur ftesë të vijnë”, deklaroi Gashi.

Të ngjashme