Mustafa u takua me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan, Hoyt Yee

Prishtinë | 25 Tet 2017 | 18:14 | Nga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit të SHBA-ve për çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee.

Gjatë takimit, u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë, për rrugën integruese euroatlantike të Kosovës dhe proceset tjera të rëndësishme.

Duke e falënderuar për mbështetjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve për Kosovën, kryetari Mustafa shprehu përkushtimin e LDK-së dhe të qytetarëve të vendit për të thelluar bashkëpunimin, partneritetin strategjik dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të.

Kryetari Mustafa, me këtë rast, vlerësoi rolin thelbësor të SHBA-ve në të gjitha të arriturat e deritashme dhe për avancimin e proceseve demokratizuese dhe zhvillimore në Kosovë dhe më gjerë në rajon.

Mustafa, po ashtu, e njoftoi për fitoren e LDK-së në zgjedhjet e fundit lokale dhe angazhimin e LDK-së për të mos lejuar shmangien e Kosovës nga binarët e zhvillimit të brendshëm, për forcimin e raporteve me fqinjët dhe aspektet tjera të avancimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Kryetari Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan Yee, biseduan edhe për çështjet tjera me rëndësi vitale për Kosovën, të cilat do të avnacohen me mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve, duke përfshirë liberalizimin e vizave, transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor.

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Hoyt Yee, shprehu pëkrahjen e mëtejshme të SHBA-së për Kosovën dhe të gjitha proceset e rëndësishme zhvillimore të saj, duke vlerësuar kontributin e LDK-së në këtë rrugë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme