Mustafa: Ushtria e Kosovës nuk do të jetë partiake

Prishtinë | 07 Mar 2017 | 19:39 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë partiake.

Mustafa në llogarinë e vet në rrjetin social “Facebook” ka shkruar edhe për një letër të ministrit të FSK-së, Haki Demolli, i cili ua ka dërguar një njoftim presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, në të cilin ua bënë me dije se amerikanët janë të shqetësuar me paralajmërimet për transformimin e FSK-së.

“Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë partiake. Ministri i FSK-së, z. Haki Demolli ka qenë dhe është për transformimin e FSK-së në Ushtri. Letra që ai e ka dërguar në adresë të presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, shpreh përgjegjësinë e tij si ministër për t’i njoftuar institucionet e larta shtetërore për qëndrimet dhe opinionet e partnerëve tanë strategjikë lidhur me dhënien e rolit të ushtrisë FSK-së”, ka shkruar Mustafa.

“Z. Demolli më ka njoftuar mua paraprakisht dje me bisedën me partnerët dhe unë e kam këshilluar që për të gjitha këto çështje të njoftojë edhe presidentin dhe kryetarin e Kuvendit. Edhe unë si kryeministër i kam njoftuar me letrën që e kam marrë nga sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ditën kur është mbajtur debati në Kuvendin e Kosovës lidhur me FSK-në. I konsideroj të papranueshme, të papërgjegjshme dhe tendencioze sulmet e tilla ndaj ministrit Demolli si dhe nxjerrjen e letrave zyrtare në opinion për efekte politike”, ka shkruar Mustafa.

Të ngjashme