Mustafa: Zhvillimi i shëndetësisë, prioritet i programit qeverisës

Prishtinë | 14 Shk 2017 | 14:30 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se zhvillimi i shëndetësisë është prioritet i përcaktuar me programin qeverisës. Andaj sipas tij, lypsen investime kapitale, sidomos në pajisje dhe aparaturë të teknologjisë sa më të re, furnizim i rregullt me barna dhe material tjetër, si dhe ngritja e kapaciteteve profesionale të personelit mjekësor dhe të personelit ndihmës.

Mustafa në interpelancën e kërkuar nga Vetëvendosje në lidhje me sigurimet shëndetësore ka thënë se prej marrjes së mandatit, ekzekutivi i vendit ka filluar t’i përmbush të gjitha detyrat për ta aktivizuar sistemin e sigurimeve shëndetësore.

“Investimet në shëndetësi dhe në arsim janë investime produktive, prandaj në periudhën e ardhshme me prioritet do të kalojnë investimet nga infrastruktura rrugore në këto fusha të cilat drejtpërsëdrejti determinojnë zhvillimin ekonomik dhe social. Përpos Fondit për Sigurime Shëndetësore do të shfrytëzojmë edhe mjete të tjera të cilat mund të shfrytëzohen për këto destinime zhvillimore”, raporton Ekonomia Online.

Fjalimi i plotë i Mustafës:

“Zhvillimi i shëndetësisë është prioritet i përcaktuar me programin tonë qeverisës. Lypsen investime kapitale, sidomos në pajisje dhe aparaturë të teknologjisë sa më të re, furnizim i rregullt me barna dhe material tjetër, si dhe ngritja e kapaciteteve profesionale të personelit mjekësor dhe të personelit ndihmës.

Themelimi i Fondit dhe aktivizimi i tij në Kosovë nga Qeveria shihet si një çështje tepër e rëndësishme dhe në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës qysh nga marrja e mandatit, para dy viteve, edhe pse e vetëdijshme se është një proces mjaft i vështirë dhe sfidues, ka filluar t’i përmbush të gjitha detyrat për ta aktivizuar sistemin e sigurimeve shëndetësore si komponentë tepër të rëndësishme të shëndetësisë në Kosovë.

Kemi bërë përpjekje që të fillojmë me sigurimet shëndetësore në fillim të këtij viti, qoftë edhe me një skemë fillestare të thjeshtë. Kemi përfunduar pjesën kryesore të përgatitjeve, por kemi vlerësuar se lypset edhe pak kohë në mënyrë që përgatitjet të jenë sa më të kompletuara.

Ligji për Sigurimet Shëndetësore parasheh që Ministria e Shëndetësisë me akt nënligjor përcakton datën e fillimit të mbledhjes së premiumeve për Fondin.

Ministria i ka propozuar Qeverisë marrjen e vendimit për fillimin e mbledhjes së premiumeve dhe Qeveria me 10 gusht të vitit të kaluar ka marrë vendim për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore të obligueshme për gjithë qytetarët e Kosovës, nga 1 janari i këtij viti.

Ju informoj se në mbledhjen e Qeverisë të datës 23 dhjetor të vitit 2016 kemi bërë një vlerësim të gjithanshëm të përgatitjeve për fillimin e mbledhjes së premiumeve.

Kemi konstatuar se pjesa më e madhe e punëve janë kryer dhe janë përmbushur shumica e kushteve të parapara me ligj. Por, duke pasur parasysh edhe konsultat me partnerët e jashtëm të kyçur në këtë fushë, kemi vlerësuar se është e dobishme që të zgjatet afati edhe për gjashtë muaj për mbledhjen e premiumeve, prandaj është marrë vendimi dhe është caktuar data 1 korrik e vitit 2017 për fillimin e mbledhjes së tyre.

Sugjerimet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë kanë qenë dhe janë se sektori i shëndetësisë në Kosovë ka nevojë për ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm të financimit dhe të menaxhimit.

Orientimi dhe angazhimi ynë sa i përket sektorit të shëndetësisë, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vetëm rritja e buxhetit për shëndetësi, por edhe që buxheti të menaxhohet me një kosto efektivitet dhe efikasitet më të mirë, duke përfillur parimet e transparencës, kontrollit dhe të llogaridhënies.

Ne i kemi bashkërenditur aktivitetet dhe vlerësimet tona me partnerët tanë, siç janë Banka Botërore, Ambasada Zvicerane, Luksemburgu, Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe po ashtu i kemi ndërlidhur të gjitha këto me Ministrinë e Financave dhe me Asociacionet e Bizneseve.

Banka Botërore ka bërë vlerësimin e gjendjes dhe ka dhënë rekomandime të caktuara ndaj të cilave ne jemi sjell me respekt të plotë. Ju informoj se në muajt e fundit të vitit 2016, unë si kryeministër me qëllim të koordinimit të bashkëpunimit ndërministror, për mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë, kam organizuar dhe zhvilluar disa takime me ministra që involvohen në çështjet e funksionalizimit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, edhe me prezencën e partnerëve ndërkombëtarë, me ministrin e Financave, ministrin e Punëve të Brendshme, ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ministrin e Administratës Publike, drejtorin e Administratës Tatimore, pastaj me Bankën Botërore, me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, me përfaqësuesit e Luksemburgut, dhe me ambasadorin zviceran, kemi vlerësuar së bashku gjithherë nivelin e përgatitjeve teknike dhe legale për funksionalizimin e Fondit dhe mundësitë e mbledhjes së premiumeve.

Kemi marrë rekomandime nga partnerë ndërkombëtarë se është mirë që përgatitjet të bëhen në drejtim të asaj që të sigurohen kushtet që koha prej fillimit të mbledhjes së premiumeve deri tek shfrytëzimi i tyre në destinim të jetë sa më e shkurtër, përkatësisht të mos jetë më e gjatë se 3 muaj.

Ministria e Shëndetësisë ka punuar me dikasterët e tjerë të Qeverisë me plan konkret të veprimit. Me planin e punës të Ministrisë së Shëndetësisë është punuar në këto fusha: në ngritjen e kapaciteteve të financimit shëndetësor, në fushën e legjislacionit, në sistemin e informimit të Fondit, definimin e skemave të përfitimit të barnave jashtë spitalore, në definimin e pagesave për kapitacion sipas performancës dhe në komunikimin publik dhe në transparencë.

Sa i përket lartësisë së pagesave, me Ligj është paraparë që pagesat për Fondin të ndahen në mënyrë proporcionale nëpërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit, përkatësisht kjo lartësi prej 7 %, që llogaritet në të ardhura bruto, prej të cilave 3.5 % i paguan punëmarrësi dhe 3.5 % punëdhënësi.

Qeveria më vonë do të vendos për lartësitë varësisht prej nivelit të shërbimeve shëndetësore, të cilat do të përballohen nga Fondi, ashtu siç është përcaktuar me Ligj. Përgatitjet tjera janë të natyrës teknike, që përfshijnë kompletimin e sistemit informatik shëndetësor, kompletimin e kuadrit për Fondin Shëndetësor dhe sigurimin e ambienteve për punë të Fondit.

Sa i përket sistemit informatik të shëndetësisë, ministri Rrahmani do të jap më shumë informacione më vonë kur ta merr fjalën, por më lejoni të theksoj se me Strategjinë e Sistemit Informatik Shëndetësor për periudhën 2010-2020, e cila ka pasuar pas Studimit të Fizibilitetit nga BE-ja, kompletimi i këtij sistemi është buxhetuar me 17 milionë euro. Deri më tani janë investuar rreth 6 milionë euro, prej të cilave afër 3 milionë euro nga Luksemburgu dhe 3 milionë euro nga Ministria, përkatësisht Buxheti i Kosovës.

Deri më tani sistemi informatik shëndetësor është kompletuar në Prishtinë, Prizren, duke përfshirë edhe spitalin e Prizrenit. Në regjionin e Prizrenit, përfshirë Suharekën, Rahovecin, Malishevën, Dragashin dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ministria po punon në shtrirjen e rrjetit dhe në kompletimin e rrjeteve në komunat tjera.

Gjithashtu, procesi i informimit të popullatës në lidhje me fillimin e mbledhjes së premiumeve dhe të përfitimeve, si dhe të sqarimeve tjera shoqëruese, të cilin proces informues e kemi vlerësuar me rëndësinë më të madhe, ka filluar në fund të vitit të kaluar dhe do ta vazhdojmë deri tek aktivizimi i Fondit.

Si përfundim, analizimi i rrethanave, si dhe i të gjitha rekomandimeve nga ana e partnerëve dhe ekspertëve të brendshëm dhe ndërkombëtarë, të cilët i ceka më lartë, si dhe të asociacioneve të bizneseve dhe odave ekonomike vendore dhe të tjera, kanë qenë arsyet, të cilat kanë rezultuar me faktin se procesi për mbledhjen e premiumeve është caktuar të fillojë nga data 1 korrik e vitit 2017. Unë jam i bindur se Ministria deri atëherë do t’i përmbushë të gjitha punët.

Shpreh poashtu qëndrimin e Qeverisë, se Ministria i ka pasur të përmbushura obligimet themelore edhe në fund të vitit të kaluar dhe kemi mundur të fillojmë edhe me 1 janar të këtij viti, por kemi vlerësuar se përgatitjet më të mëdha do të ndikonin që efikasiteti i Fondit të jetë më i madh.

Unë vlerësoj se agjenda që kjo të fillojë nga 1 korriku është agjendë reale dhe është normale për të filluar një proces shumë i rëndësishëm i shëndetësisë së Kosovës.

Sa i përket ndryshimeve në krye të Fondit, për të cilat z.Ymeri foli këtu dhe i adresoi tek unë, si Kryeministër nuk kam vendosur për to, sepse nuk kanë qenë në kompetencë timen, janë çështje të Ministrisë. Si Qeveri, ne do të vendosim momentin kur na vijnë propozimet sipas procedurës ligjore për caktimin e drejtuesve të Fondit dhe do të respektojmë të gjitha kriteret që në krye të Fondit të vijnë njerëzit, të cilët kanë përgatitje dhe të cilët në mënyrë efikase do ta drejtojnë Fondin në të ardhmen.”
isa mustafa1isa mustafa2

Të ngjashme