Nagavci: Aktgjykimi i Kushtetueses tregon se sa të instrumentalizuara janë institucionet tona

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 20:39 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, në emisionin “Raport” në KTV ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese tregon se sa të instrumentalizuara dhe të kapura janë institucionet e vendit.

“Kjo është edhe një veprim në vargun e vendimit të paprecedent të vendimit që mori Gjykata Kushtetuese. Kjo duket më tepër si një shkresë politike. Edhe në aktgjykimin e sotëm bien në sy shumë kundërthënie. Bie në sy që Gjykata nuk i ka paraqitur në mënyrë të saktë edhe punën përgatitore të komisionit kushtetues. Edhe ne i kemi pasur dokumentet dhe kemi bërë kërkesë që të kemi qasje në ato dokumente. Dhe bie në sy që Gjykata nuk i është referuar në mënyrë të saktë transkripteve, gjegjësisht dokumenteve përgatitore të komisionit kushtetues. Përjashto këtu faktin se ato as nuk është dashur që të merren për bazë sipas vlerësimit tonë për shkak se asnjëherë nuk kanë qenë zyrtare apo të zyrtarizuara në gazetë zyrtare”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj Gjykata Kushtetuese ka shkuar përtej kompetencave të saj.

“Ekipi i kryeministrit i ka analizuar dhe ka bërë një deklaratë publike. Përpos faktit me këtë vendim ka amandamentuar apo shkruar Kushtetutën, duke marrë përsipër edhe kompetencat të cilat nuk i takojnë. Gjykata Kushtetuese me këtë vendim e raporton jo drejtë edhe vendimit të vet të vitit 2014, ku thuhej se presidenti është i obliguar të ftojë në konsultime vetëm partinë fituese. Kurse tani presidenti i ftoi të gjitha subjektet politike”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se nuk kanë qenë krejtësisht të bindur në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, porse dëshironin të shtjerrnin të gjitha mundësitë demokratike.

“Presidenti ka dërguar pesë letra të njëpasnjëshme në kohën brenda 20 ditësh, duke kërkuar emrin e kandidatit duke bërë presion në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai është munduar që përpos presionit ta përgatisë edhe këtë dekret. Kjo që ndodhi sot vetëm se e vërteton dilemat tona të bazuara në argumente juridike se për fat të keq institucionet e shtetit janë të kapura dhe të instrumentalizuara. Vetëvendosja si fituese e zgjedhjeve është kujdesur që të shtjerrë të gjitha mjetet politike e juridike që ka pasur në dispozicion. Nuk kemi qenë krejtësisht të bindur në pavarësinë e GJykatës Kushtetuese, e kemi dëshiruar një gjë të tillë. Do të ishte në të mirë të vendit që ky institucion të tregonte integritet”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj kjo ka ndodhur vetëm për ta ruajtur Thaçin.

aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese e tregon se sa të instrumentalizuara janë institucionet tona. Për të ruajtur një person, këtë rast Thaçin, janë në gjendje që të shkelin edhe vet Kushtetutën. Kjo nuk na heq të drejtën neve që me mjetet demokratike në dispozicion të flasim se si ne i shohim faktet. Keq që nuk kemi mundësi që ta kontestojmë në aspektin juridik. Jemi të gatshëm t’i argumentojmë me fakte. Kushtetuta nuk i përcakton afatet, këtu është shkelja që ne e kemi evidentuar”, ka thënë ajo.

Të ngjashme